Autori i dyshuar i sulmit në Aeroportin Fort Lauderdale të Floridas është një veteran lufte në Irak.
26 – vjeçari Esteban Santiago është marrë në pyetje nga policia pas sulmit të së premtes ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Zyrtarët amerikanë thonë se ende nuk e kanë përjashtuar mundësinë se ky akt mund të jetë terrorist. Mediat atje shkruajnë se i ndaluari mund të ketë patur probleme mendore.
Ai mësohet të ketë thënë se qeveria po kontrollonte mendjen e tij dhe e detyroi të shihte video xhihadistësh.
Santiago hapi zjarr në zonën e marrjes së bagazheve të Terminalit 2 teksa pasagjerët po merrnin valixhet e tyre. Dëshmitarë thanë se ai po ecte qetësisht dhe nuk tha asnjë fjalë teksa hapi zjarr ndaj atyre që po tentonin të largoheshin apo të fshihenin. Ai iu dorëzua policisë kur i mbaruan municionet.
26 – vjeçari mbante veshur një bluzë të Star Wars dhe kishte udhëtuar nga Alaska. Ai kaloi me armë të zbrazur dhe municionet i kishte në valixhe dhe e mbushi armën gjysmë – automatike në tualet, pasi kishte zbritur dhe kishte marrë bagazhet e tij.
Sipas Pentagonit, i dyshuari i këtij sulmi është një ish – anëtar i Gardës Kombëtare të Puerto Rico –s dhe Alaskës. Ai ka shërbyer në Irak nga Prilli i vitit 2010 deri në Shkurt të 2011 –ës dhe e përfundoi shërbimin e tij në Gusht të 2016 – ës.
7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)