Pas vrasjes së Rrapos, grabitësit kërcënojnë të bijën. Një nga autorët, i arratisur nga burgu


Silvana Muça


Persona të paidentifikuar, kanë tentuar që të grabisin argjendarinë e vajzës së Rrapo Sinanajt, argjendari i cili u vra në dyqanin e tij një vit më parë, me armë zjarri nga vrasësi serial, Viktor Gushi. Ka qenë ndërhyrja e policisë private, ajo që ka shmangur grabitjen, që ishte pothuajse drejt finalizimit nga dy autorët e ngjarjes Redi Donrrolli, 27 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për vrasje, i arratisur nga burgu dhe Klodjan Martini, 28 vjeç, banues në Dibër. Burime nga policia, bëjnë me dije se dy persona të maskuar, të cilët në kokë mbanin skafandra motori, kanë hyrë në argjendarinë pranë zonës së quajtur Rruga e Dibrës, pranë “Selvisë”, duke i drejtuar armën e zjarrit, tip pistoletë, Olta Sinanajt. Kjo e fundit nuk i ka kundërshtuar grabitësit, duke i lejuar që të merrnin bizhuteritë e floririt dhe argjendit. Por në mungesë të vëmendjes së grabitësve, të cilët ishin fokusuar në marrjen e të gjithë arit që ndodhej te vitrinat, ajo ka shtypur butonin e alarmit, për të kërkuar ndihmën e policisë private, me të cilën kishte lidhur edhe një kontratë sigurie. Punonjësit e sigurisë kanë ardhur në një kohë rekord dhe në momentin që grabitësit kanë parë ardhjen e policëve privatë, janë larguar me shpejtësi, me një motor 600 kubikësh, duke e hedhur të gjithë masën e floririt në tokë nga frika se mos kapeshin. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë së Tiranës, e cila ka vënë në lëvizje disa komisariate të kryeqytetit, për t’u aktivizuar në ndjekje të autorëve të grabitjes. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rezultoi se Donrrolli dhe Martini janë larguar në drejtim të autostradës, duke devijuar në rrugë dytësore drejt fshatit Domje dhe Laknas Tiranë. Qëllimi ishte që të dilnin në autostradën Durrës-Tiranë, por që nuk ia kanë dalë. Pas 45 minutash nga momenti i kryerjes së krimit dhe konkretisht rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, pranë fshatit Domje. Në këtë zonë, ata e kanë braktisur motorin si pasojë e një defekti teknik që është shfaqur në mjetin e transportit dhe kanë tentuar që të arratisen në këmbë, drejt një zone të banuar. Në vendin që lanë motorin, i cili i braktisi duke i lënë në mes të rrugës, ata kanë hequr xhupat dhe skafandrat që mbanin me vete, për të mos u penguar gjatë arratisjes. Autorët e dyshuar të grabitjes, nuk kanë mundur që t’i shpëtojnë policisë, por janë arrestuar në një tokë bujqësore.


Ndërkaq, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka mbledhur të gjitha provat materiale, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e tentativës së grabitjes. Ata kanë shoqëruar në polici edhe pronaren e argjendarisë, e cila ka dhënë edhe deklaratën e saj, për atë që ka përjetuar dhe ka parë gjatë operacionit të grabitjes. Vajza e të ndjerit, Sinanaj është terrorizuar nga përsëritja e historisë së grabitjes, ku një vit më pranë babai i saj humbi edhe jetën, por gjithsesi ajo ka mundur që të ndalë grabitjen e dyqanit. Ndërkaq burime jozyrtare, bëjnë me dije se argjendaria e cila është grabitur mesditën e së mërkurës, është tentuar që të grabitet edhe një herë tjetër disa muaj më parë. Dëshmitarë okularë, thonë se në momentin e grabitjes, nuk ka pasur lëvizje në njerëz pranë argjendarisë. Duket se grabitësit e kanë pritur dhe shfrytëzuar këtë rast, për të hyrë në argjendari. Në kohën e grabitjes, vajza e Rrapo Sinanajt ka qenë e vetme. Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë ngjarjen dhe ajo është sekuestruar nga grupi hetimor, i cili po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Grabitësit ishin trupa të bëshëm. Njëri prej tyre kishte veshur një bluzë gri, me një logo në shpinë, pantallona të zeza dhe atlete. Ndërsa tjetri kishte veshur një palë xhinse ngjyrë blu të çelur dhe bluzë me golf ngjyrë të zezë. Mësohet se policia po punon edhe në lidhje me aktivitetin kriminal të të arrestuarve.