Kuvendi
Debate të ashpra në komision. “Imami të raportojë mbi armët e Kongos”
Opozita aludon se krijimi i një superagjencie inteligjente të Ministrisë së Brendshme do të shërbejë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, tha dje se “qeveria po përgatit skenarin për të vjedhur zgjedhjet parlamentare të 2013-s, në mënyrë të dhunshme me miratimin e draftit për Agjencinë Inteligjente të Mbrojtjes”. Sipas tij, Kryeministrin Sali Berisha po e shndërron SHIU-n në një superagjenci spiunazhi në prag të zgjedhjeve. “Është agjenci që tejkalon kompetencat edhe të vetë Shërbimit Informativ të Shtetit, është një superagjenci, e cila po bëhet disa muaj përpara zgjedhjeve. Dhe ajo që deri sot nuk është mbrojtur me ligj, ju kërkoni ta bëni me ligj. Një agjenci për Kryeministrin që t’i shërbejë për zgjedhje dhe sa herë t’i duhet Kryeministrit për të nxjerr relacione, për të bërë konferenca shtypi dhe për të thënë broçkulla”, tha Gazmir Bizhga. Një tjetër çështje e ngritur nga socialisti Bizhga ka qenë edhe shitja e armëve në Kongoli. “Rebelët kongolezë janë pajisur me armë nga Shqipëria. Ky lajm është një imazh jo i mirë për Shqipërinë. Ministri Imami të vijë këtu dhe të na japë shpjegime”, tha deputeti socialist, Gazmir Bizhga. Ndërsa mazhoranca tha se komisioni nuk është mbledhur për armatimet, por për të diskutuar ligjin. “Pa pasur mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes ne nuk mund të miratojmë një ligj për një agjenci, e cila del se është një superagjenci, dhe për më tepër mbikëqyrjen ia kalojmë vetvetes”, tha Ilir Gjoni. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, ka braktisur mbledhjen pas ndërprerjes së fjalës nga kryetari i komisionit Leonard Demi. Më pas ai është rikthyer në mbledhje. Deputeti Xhemal Qefalia kërkoi rishikimin e nenit 3 të draftit. “Vetë Kryeministri i pohoi se më 21 janar SHIU ka përgjuar. Pika 3 e nenit 2 i lë hapësirë të madhe dhe të pakufizuar këtij shërbimi”, tha Qefalia.