Skema e largimit hap pas hapi nga burgu, thyerja e kamerës, izolimi i gardianëve…
Sokol Çobo
Siguria në Burgun e Drenovës në Korçë pasditen e 23 nëntorit nuk ka qenë e lartë, madje as e një burgu të zakonshëm, apo gjysmë të hapur. Megjithëse gardianët kanë pasur si detyrë të ruanin të dënuarit me burg përjetë, për vrasje, apo për grabitje me pasojë vdekjen, ata kanë neglizhuar çdo element sigurie, që nga vrojtimi i kamerave e deri te vendrojat, të cilët nuk reaguan në asnjë moment, duke u dhënë liri të plotë shtatë të dënuarve të dilnin nga qelia pa gërvishtjen më të vogël, kur në situata normale, ata, pas paralajmërimit, mund edhe të qëlloheshin me armë zjarri. Por, mbrëmjen e së shtunës, gardianët janë treguar bujarë me këta të dënuar të rrezikshëm, duke lejuar që për gati gjysmë ore, “drejtuesit” e vërtetë të burgut të ishin disa të dënuar me burg përjetë, madje të bënin edhe gardianët, të armatosur deri në dhëmbë, duke ulur në gjunjë të gjithë punonjësit. Këta të fundit, sipas të dhënave nga prokuroria, nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për të ndaluar këtë superarratisje, e cila ka pasur një skenar të mirëpërgatitur më parë, ku gjithsecili nga të dënuarit apo nga bashkëpunëtorët jashtë e ka pasur nga një rol. Të dënuarit që vuanin dënimin në Burgun e Drenovës e kanë diskutuar për muaj me radhë këtë skenar, duke ndarë detyrat dhe armatimet. Po si funksionoi një skemë e tillë në një burg të sigurisë së lartë? Prokuroria e Korçës ka ngritur një skemë sesi ka funksionuar kjo arratisje, që daton tre muaj më parë.
Armët në frigorifer
Në mes të muajit gusht, dy shokët e ngushtë të Admir Tafilit, që vuante dënimin me burgim të përjetshëm në këtë institucion, kanë filluar të thurin planin për arratisjen. Ata janë Olsi Maçi dhe Albi Meçini, të cilët, duke kontaktuar me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të burgut, kanë futur në qelinë e shokut të tyre dy kallashnikovë, të çmontuar dhe dy pistoleta TT. Gjatë kontrollit, gardianët nuk kanë pikasur asnjë send të kundërligjshëm që po futej në burg, duke dërguar më pas këtë frigorifer direkt në qelinë e Admir Tafilit. Më pas, Tafili dyshohet se ka mbajtur kontakte me dy shokët e tij dhe ka kurdisur planin e arratisjes. Madje, ai ka lënë edhe ditën dhe orën e saktë të arratisjes, e cila do të ishte ditë pushimi zyrtar, madje pasdite, kur personeli i burgut përgjysmohej dhe vëmendja e gardianëve nuk ishte e lartë, megjithëse ky burg më kot është cilësuar si i “sigurisë së lartë”. Plani ka ecur për mrekulli dhe përgjatë tre muajve, Tafili së bashku me Fran Marashin kanë mbajtur këto sende të paligjshme në burg dhe gjatë kësaj kohe gardianët, megjithëse kanë kryer disa kontrolle, nuk kanë gjetur asnjë gjë të paligjshme. Armët mund të jenë fshehur mirë në qeli, megjithëse është detyra e personelit të burgut për të kontrolluar dhe kapur sendet e paligjshme. Ka dyshime se Tafili dhe Marashi, dy organizatorët, kanë pasur edhe dy telefona celularë dhe kanë folur me bashkëpunëtorët e tyre.
Para arratisjes
Prokuroria thotë se kanë qenë tre bashkëpunëtorë të jashtëm për arratisjen. Veprimi i parë ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së shtunë, ku në veprim është futur shtetasi Altin Lahi. Ky person ka vendosur një eksploziv në qytetin e Korçës, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen e Policisë së Shtetit. Mësohet se ia ka arritur qëllimit, pasi një pjesë e mirë e patrullave kanë shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur, madje edhe zyrtarë të lartë të policisë lokale. Në këtë mënyrë, organizatorët kishin mundësuar heqjen e patrullave policore nga rrugët e Korçës, të cilat ishin stacionuar në vendin e shpërthimit. Veprimi i dytë ka qenë nga shtetasit Olsi Maçi dhe Albi Meçini, dy shokët e ngushtë të Admir Tafilit, personat që më parë kishin arritur të fusnin frigoriferin me armatime në burg. Këta persona kanë qenë të armatosur dhe po qëndronin jashtë Burgut të Drenovës. Ka dyshime se ata kanë pasur një telefonatë me Admir Tafilin dhe Fran Marashin, ndërsa më pas kanë marrë pozicione jashtë burgut. mësohet se Maçi dhe Meçini kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, duke tërhequr vëmendjen e dy vendrojave nga situata brenda burgut.
Skema e arratisjes
Prokuroria e Korçës ka zbardhur edhe mënyrën sesi shtatë të dënuarit për krime të rënda, që vuanin dënimin në Burgun e Drenovës në Korçë, janë arratisur. Sipas tyre, gjithçka ka filluar rreth orës 18:00 të ditës së shtunë. Grupi hetimor i kryesuar nga drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnan Xholi, ka bërë këqyrjet dhe verifikimet e para, ku për orë me radhë janë evidentuar kamerat e sigurisë, në seksionin ku kanë qëndruar të dënuarit e rrezikshëm. Një nga dyshimet e prokurorisë është se të dënuarit e rrezikshëm lëviznin në korridore edhe pas orës 15:00, ndërsa justifikoheshin se do të shkonin në klasën e edukimit. Ka dyshime se gardianët që do i shoqëronin në klasë kanë qenë të paarmatosur, madje ka shpërdoruar edhe rregulloren, duke bashkuar edhe të dënuarit e sektorit 3 dhe 4. Mësohet se në një moment, gardiani ka nisur që të shoqërojë një tjetër të dënuar që mbante në dorë një qese me mollë dhe në këtë moment, kur dyert e qelive ishin të hapura, nga qelia del Admir Tafili i armatosur dhe njëri nga të dënuarit që ndodhet në dhomën e edukimit del po me pistoletë në dorë. Në kamera shfaqen tre të dënuar të armatosur. Mësohet se gardianin e shtrijnë përtokë dhe i kërkohet që të hapë portën, ndërsa një tjetër i dënuar ka prishur një kamerë. Por, gardiani që shoqëronte të burgosurit për ironi të fatit kishte pasur edhe çelësin e portave me vetë. Më këtë çelës është hapur dera e regjimit, duke vijuar me këtë skenar derë pas dere, në secilin regjim, përgjatë korridorit, madje edhe dera që i nxjerr jashtë të dënuarit. Një tjetër gardian hap derën në momentin që shikon se të dënuarit të armatosur po drejtoheshin drejt tij.
Kontrolli i kamerave
Çudia më e madhe sipas hetuesve ka ndodhur pikërisht në zyrën e kontrollit të kamerave, ku kanë qëndruar Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani. Këto dy gardiane kishin si detyrë të shikonin të gjitha lëvizjet e dyshimta të të burgosurve, apo gardianëve dhe të jepnin alarmin. Por, në momentin që njëri nga të burgosurit ka prishur kamerën, këto dy punonjëse nuk kanë evidentuar asnjë gjë. Madje, mund të kenë vazhduar “bisedat”, apo “thashethemet” me njëra-tjetrën, në një kohë që në institucionin që punonin kishte ndodhur gjëma, ku disa të dënuar me burgim të përjetshëm po largoheshin nga qelitë. Sipas prokurorisë, këto dy punonjëse kanë reaguar në minutën e 10-të që nga fillimi i planit të të dënuarve. Por, edhe në këtë rast, ato kanë raportuar vetëm për një problem në një kamerë dhe jo për arratisje, kur, me një shikim të shpejtë në monitorë, mund të kishin evidentuar që disa të dënuar po arratiseshin, madje kishin armatime në duar. Krahas pistoletave, që ndoshta nuk duken në monitorë, të dënuarit kishin edhe kallashnikovë, një armë që mund të evidentohej fare lehtë. Por, gardianet nuk kanë bërë asnjë reagim.
Dolën nga porta dytësore
Dhe në këtë kohë, kur askush nuk kishte dhënë alarmin, shtatë të dënuarit janë drejtuar në oborrin e burgut, të armatosur deri në dhëmbë. Mësohet se të dënuarit kanë “burgosur” gardianët në një dhomë dhe kanë dalë në regjimin e jashtëm. Në këtë moment, pra në momentin e daljes në regjimin e jashtëm, dikush nga të dënuarit që po arratisej mund të ketë bërë një telefonatë me bashkëpunëtorët jashtë burgut, për t’i dhënë shenjën. Në këtë moment, Olsi Maçi dhe Albi Meçini kanë vijuar të qëllojnë në ajër, duke tërhequr vëmendjen e dy rojeve në kullën e vrojtimit, të cilët kanë qenë të armatosur. Këta dy gardianë kanë pasur fushëpamje jashtë burgut, ndërkohë që në brendësi të tij, shtatë të dënuarit kanë lëvizur lirisht për nga dera që futen automjete në këtë institucion. Ata kanë prerë telat me gjemba dhe kanë dalë jashtë në rrugë, ku i prisnin pikërisht bashkëpunëtorët. Njëra prej makinave ka qenë me targa zyrtare, ndërsa më pas, ministri i Brendshëm, tha se njëra nga makinat ka pasur edhe fenelina policie.
Arratisja 23 minutëshe
Grupi hetimor ka matur edhe kohën që u është dashur shtatë të burgosurve për të dalë nga burgu i sigurisë së lartë. Që nga momenti i prishjes së kamerës e deri te largimi jashtë burgut, atyre u është dashur një kohë prej 23 minutash. Gjatë kësaj kohe, ata kanë qenë “drejtuesit” realë të burgut, madje për një moment bënë edhe rolin e gardianëve, duke izoluar në një dhomë policët e burgut.
Jashtë burgut
Krahas skenarit për arratisje, të dënuarit kanë ndarë edhe rolet jashtë burgut. Të burgosurit janë ndarë në tre grupe, dhe kanë marrë drejtime të ndryshme. Artur Goro ka marrë drejtimin për në fshatin e tij të lindjes, disa kilometra larg burgut, për t’u arrestuar më pas. Ndërkohë, Reis Haxhiraj, Gëzim Toma dhe Eduard Lulo kanë ikur në drejtimin e Malit të Gramozit, ndërsa Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzi Guri janë drejtuar drejt qytetit të Pogradecit. Por edhe bashkëpunëtorët kanë lëvizur të ndarë, ku Altin Lahi, pas vendosjes së eksplozivit u largua me shpejtësi nga qyteti i Korçës, drejt Tiranës, për t’u arrestuar më pas në fshatin Ibë. Dy të tjerë, Olsi Maçi dhe Albi Meçini, kanë qenë me një automjet dhe janë përplasur me policinë në rrethinat e Pogradecit. Ata kanë çarë një postbllok, ndërsa më pas janë arrestuar. Menjëherë pas tyre vinin tre të dënuarit e arratisur, Tafili, Marashi dhe Guri, të cilët u strehuan në Përrenjas, në një godinë të braktisur, ku u arrestuan një ditë më pas nga forcat RENEA.
Kamerat
Hetuesit kanë dyshime se kanë qenë 20 kamera sigurie në seksionin A, ndërsa një është dëmtuar në momentin që plani i të dënuarve po zbatohej
Arratisja
Nga këqyrja e kamerave ka rezultuar se i gjithë plani i shtatë të burgosurve për të dalë nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë ka zgjatur 23 minuta
Armatimet
Katër armë kanë pasur në dorë të dënuarit që u arratisën, dy pistoleta dhe dy kallashnikovë, të cilat i siguruan nga shokët e tyre
Plani
Gjatë tre muajve është përpiluar plani i arratisjes nga shtatë të dënuarit për vepra të rënda penale, që nga momenti kur kanë marrë armët në mes të muajit gusht
Bashkëpunëtorët
Hetuesit kanë dyshime se tre kanë qenë bashkëpunëtorët, të gjithë shokë dhe miq të ngushtë të Admir Tafilit, ideatorit dhe organizatorit të superarratisjes
Izolimi
Për një moment, shtatë të dënuarit kanë izoluar në një dhomë gardianët, me qëllim që mos t’i ndiqnin apo të jepnin alarmin për arratisje