Rezart TaciBiznesmeni i hidrokarbureve po qëndron në qeli prej disa javësh. Konfirmimi vjen indirekt nga avokati i tij në Shqipëri, që dorëzoi dje në gjykatë një prokurorë, e cila ishte firmosur në një burg në Gjenevë


Kallëzimi – Shkelja ka qenë mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore i 566 mijë litrave naftë me vlerë të përafërt 486 mijë USD, të eksportuara nga kompania TAÇI OIL për shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”


Mashtrimi – Krijimi i disa kompanive nga Taçi, me të njëjtin objekt aktiviteti të angazhuara në një sërë transaksionesh financiare e bankare, është bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave


Kontratat – Në shumë nga këto operacione nuk ekzistojnë dokumentet bankare apo kontratat noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të fondeve dhe destinacionin e tyre pas tërheqjes


Transferta – Në dosje ndodhen dokumente ku flitet për transferta prej 4.5 milionë eurosh në favor të shoqërisë ARMO, me arsyetimin kalim fondi, apo transferta të tjera të kryera nga shoqëria në fjalë për likuidim detyrimesh


Biznesmeni i hidrokarbureve, Rezart Taçi, është arrestuar në Zvicër prej disa muajsh. Konfirmimi ka ardhur indirekt nga avokati i tij në Shqipëri, i cili ka dorëzuar një prokurë përfaqësimi në Gjykatën e Tiranës. Në shkresën e paraqitur, avokati Fatmir Brraka, tha se klienti i tij e ka nënshkruar nga një burg në Gjenevë, duke konfirmuar në këtë mënyrë informacionin që qarkullonte prej disa javësh.


Arrestimi në Gjenevë


Dje në Gjykatën e Tiranës, avokati Fatmir Brraka dorëzoi aktin e përfaqësimit, që Taçi i ka dhënë noterit nga ambientet e një paraburgimi në Gjenevë të Zvicrës. Nga ky akt-përfaqësimi, biznesmeni i naftës kërkon të përfaqësohet dhe mbrohet në Shqipëri nga avokati Fatmir Brraka. Burime nga Interpol-Tirana kanë dhënë disa detaje për mediat, teksa konfirmojnë se ndalimi i Taçit është bërë me urdhër të prokurorisë publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”. Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin Panamez me emrin “Ëallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009. Për llogari të këtij hetimi, burimet thonë se më 5 maj 2014 në Shqipëri, autoritetet e zvicerane kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, për kryerjen e disa veprimeve hetimore. Mes tyre sekuestrimin e kontratave të kompanisë së Rezart Taçit, verifikimin e llogarive bankare të kompanive dhe personalet, disa veprime të tjera bankare dhe pyetjen me cilësinë e dëshmitarëve të 4 personave, mes tyre motrën e Rezart Taçit dhe nipin e tij. Të gjitha këto veprime hetimore, thonë burimet, kanë përfunduar në Shqipëri dhe i janë dërguar autoriteteve të drejtësisë zvicerane, të cilët kanë arrestuar Taçin në një nga aeroportet e vendit.


Seanca në gjykatë


Në procesin gjyqësor në Tiranë, që treshja gjykuese e zhvilloi pa praninë e mediave, avokati i Rezart Taçit kërkoi që klienti i tij të gjykohet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, por duke mos pranuar akuzën e “mospagimit të taksave dhe detyrimeve tatimore”. Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata, duke i dhënë fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim. Më pas, seanca u shty për t’i lënë kohë prokurorit të çështjes të përgatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Rezart Taçit, i cili nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve tatimore me cilësinë e administratorit të ARMO-së për 4 vite, që dyshohet se i ka sjellë shtetit shqiptar një dëm prej miliona euro.


Dosja “Taçi”


Hetimet për këtë çështje kanë qenë voluminoze, për shkak se prokuroria ka bërë disa akte ekspertimi dhe është dashur kryerja e veprimeve të shumta financiare. Burime nga akuza e kryeqytetit dyshojnë se biznesmeni Rezart Taçi, me cilësinë e administratorit të ARMO-s, menjëherë pas blerjes së aksioneve nga shteti shqiptar, nuk ka paguar detyrime tatimore për disa vite, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej dhjetëra miliona eurosh. Prokuroria thotë se janë sekuestruar të gjitha praktikat e ndjekura nga Drejtoria e Tatimeve, e cila ka përpiluar gjobat ndër vite për kompaninë ARMO për mospagimin e taksave apo tatimeve. Mësohet se disa nga këto gjoba janë ankimuar në gjykatë, ndërsa disa të tjera janë pezulluar pa ndonjë argumentim. Sipas kallëzimit nga Policia e Shtetit, që daton që nga tetori 2013, thuhet se abuzimi kap shifrën e gati 15 milionë dollarëve. Në këtë kallëzim, mësohet se krahas biznesmenit Rezart Taçi, nën hetim u vunë edhe bashkëpunëtorët e tij. Ka dyshime se së bashku edhe me punonjës të tatimeve dhe me persona të tjerë, shtetas shqiptarë apo të huaj, thuhet në kallëzim, këta persona kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme, që përbëjnë elemente të veprave penale si evazion fiskal apo mashtrim financiar, përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve.


 


Çështja


Biznesmeni ka mohuar akuzat


Biznesmeni Rezart Taçi nuk është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, megjithëse i është dërguar një fletëthirrje. Ai mësohet se veprimet ia ka deleguar avokatëve mbrojtës. Në momentin kur prokurori Ndini Tavani ka mbyllur hetimet, janë lajmëruar avokatët mbrojtës dhe u është komunikuar mbyllja e hetimeve, duke dërguar çështjen për gjykim. Mësohet se avokati nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria, me argumentimin se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës dërgoi çështjen në gjykatë me akuzën e evazionit fiskal dhe mospagimit të taksave dhe tatimeve. Në kallëzimin e Policisë përmendeshin edhe disa ish-zyrtarë të Tatimeve të Tiranës, të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në këto afera, duke favorizuar Taçin. Hetimet për këta zyrtarë janë veçuar.