Bashkëpunuan me gardianët, grupi i tyre do të vidhte 1 milion euro dhe do të largoheshin jashtë Shqipërisë


Sokol Çobo


vellezërit-tafili (1)Një plan spektakolar arratisjeje nga Burgu i Peqinit është parandaluar dje nga prokuroria dhe SHKB-ja e Burgjeve, duke penguar vëllezërit Admir dhe Genc Tafili të fitojnë lirinë. Në pranga kanë përfunduar pesë gardianë, si dhe bashkëpunëtorët e jashtëm të Tafilajve, të cilët kishin thurur planin me detaje, pasi në momentet e para që do të linin burgun, do të kryenin grabitjen e një biznesmeni. Sipas përgjimeve dhe vëzhgimeve, nga grabitja do të përfitonin një shumë prej 1 milion eurosh që do të përdorej për të paguar gardianët, policët e kufirit dhe për të jetuar jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Elbasanit ka marrë një informacion operativ për këtë plan dhe menjëherë ka filluar hetimi i çështjes, nga ku u zbuluan edhe afera të tjera që shkonin deri te drejtuesit e Burgut të Peqinit, të cilët jepnin edhe leje shpërblyese. Një të tillë ka fituar edhe Genc Tafili, që, nëpërmjet dokumenteve false, iu dha leje për të takuar në spital bashkëshorten e sëmurë. Por, gruaja e tij ka disa vite që nuk ndodhet në Shqipëri, dhe për më tepër, Genci nuk ka shkuar në Tiranë, por ka qëndruar në një lokal në Elbasan. Ai ka ngrënë e ka pirë në sytë e grupit të shoqërimit të burgut, që qëndronte në automjet në pritje që grupi i tij do të kryente edhe grabitjen 1 milion euroshe. Por, plani ka dështuar dhe Genc Tafili vetëm sa ka shijuar lirinë gjashtë orëshe, në shoqërinë e disa shokëve dhe shoqeve.


“Grupi i Drenovës”


Prokuroria thotë se personat që tentuan që të arratiseshin nga Burgu i Peqinit janë të njëjtë me grupin që arriti të fitonte disa orë lirinë nga Burgu i Drenovës, në Korçë. Vëllezërit Admir dhe Genc Tafili, si edhe Fran Marashi e Gëzim Guri kanë planifikuar të arratisen, duke bashkëpunuar me persona jashtë dhe brenda burgut. Pas një hetimi të Prokurorisë së Elbasanit dhe Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve, dje u arrestuan pesë punonjës të Burgut të Peqinit dhe një shtetas nga Shkodra, të akuzuar se, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, kanë krijuar kushtet që të dënuarit të tentonin arratisjen nga burgu. Të arrestuarit janë gardianët Avni Biça, 30 vjeç, Gëzim Behluli 48 vjeç dhe Bilbil Ymeri 33 vjeç. Ndërkohë, u arrestuan edhe Abedin Hitaj, 59 vjeç, me detyrë përgjegjës i sektorit të sigurisë së IEVP Peqin dhe Petrit Marnoj, 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i sektorit ligjor së IEVP Peqin. Ndërkohë, në Tiranë u arrestua Jetmir Guzi, 33 vjeç, i cili dyshohet se është personi kryesor që i ndihmonte nga jashtë të dënuarit për të vënë në zbatim planin e arratisjes.


Plani i arratisjes


Burgu-i-PeqinitProkuroria thotë se gjashtë persona, pesë prej të cilëve punonjës të Burgut të Peqinit dhe një shtetas tjetër janë arrestuar. Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë personat e përfshirë në ndihmesën e të dënuarve, kërkesë e cila u mbështet nga gjykata. Vendimi i gjykatës u ekzekutua nga forcat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Policisë së Shtetit. “Pas një hetimi shumë të shpejtë, u arrit të zbulohej në kohë dhe të parandalohej skenari që po përgatisnin të burgosurit Admir Tafili, Genc Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Këta persona që janë dënuar për vepra të rënda penale, ishin organizatorët dhe ekzekutuesit e planit të arratisjes nga Burgu i Drenovës, në muajin nëntor 2013 (përveç Genc Tafilit, i cili nuk ka qenë në Burgun e Drenovës). Këta shtetas u ndaluan në nëntor 2013, pas një arratisjeje disaorëshe nga Burgu i Drenovës dhe më pas u transferuan në Burgun e Peqinit. Pikërisht në këtë burg, në bashkëpunim me persona nga jashtë dhe me ndihmën e punonjësve të brendshëm që u siguronin pajisjen me mjete të palejuara, dy vëllezërit Tafili, Marashi dhe Guri, ishin duke përgatitur një plan arratisjeje”, thotë akuza.


Grabitja 1 mln euro


Të dënuarit, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre jashtë burgut, kishin parashikuar që të pajiseshin me armë, si edhe të grabisnin rreth 1 milion euro në një ambient privat, para të cilat do t’u duheshin për të bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria pas arratisjes. Ky plan, i cili kishte disa kohë që po përpunohej nga të dënuarit, është diktuar nga autoritetet e burgjeve, të cilat kanë referuar materialin në Prokurorinë e Elbasanit. Mësohet se ata do të sulmonin biznesmenin e fuqishëm në Elbasan në datë 24 tetor të këtij viti, të cilin e kishin ndjekur herë pas here. Kishin informacione se ai dispononte shumën prej 1 milion eurosh, që do të përdorej më pas për të paguar gardianët dhe policët në kufi. Megjithatë, plani nuk ka ecur, pasi autorët që ndiqnin biznesmenin nuk e kanë gjetur në vendqëndrim, duke shtyrë edhe grabitjen dhe arratisjen.


Prokuroria ka identifikuar si organizatorin e tentativës së arratisjes Jetmir Gjuzin. Ai ka arritur që të korruptojë pesë gardianë të Burgut të Peqinit, duke i dhënë ryshfet. “Gardianët, në shkelje të rregullores dhe ligjit, lejonin që personat e dënuar që ishin pjesë e planit të arratisjes, të pajiseshin me mjete të ndaluara në ambientet e burgut, si telefona celularë, objekte të tjera, përfshirë edhe dyshimet për futjen e armëve luftarake.”


 


 


Dosja


Ai fitoi leje shpërblyese. Drekoi me shokët e shoqet, gardianët e prisnin te makina


Gjashtë orët e lirisë së Genc Tafilit, dështimi i grabitjes e riktheu në burg


Drejtuesit e Burgut të Peqinit kanë favorizuar të dënuarit e këtij institucioni, duke u dhënë leje shpërblyese, megjithëse kanë mbi shpinë akuza të rënda. Me dokumente false, gardianët dhe personat jashtë burgut, kanë krijuar kushtet për të përfituar leje shpërblyese në mënyrë të padrejtë dhe me dokumente të falsifikuara Genc Tafilaj. Nëpërmjet një epikrize të falsifikuar, Genc Tafilaj kërkoi leje për të vizituar bashkëshorten e tij, e cila, sipas dokumenteve, ishte e shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në QSUT, Tiranë. Kjo kërkesë për leje është shqyrtuar nga shtetasi Abedin Hitaj, i cili, në momentin e paraqitjes së lejes, ushtronte detyrën e titullarit të burgut, në mungesë disaditore të drejtorit të këtij institucioni.


Pavarësisht se ishte lehtësisht e verifikueshme se epikriza ishte false, personat përgjegjës për dhënien e lejes nuk kanë kryer asnjë veprim për të kontrolluar vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura dhe i kanë akorduar shtetasit Genc Tafilaj lejen shpërblyese 6 orë, me shoqërim, në dt. 24.10.2014.


“Dokumentet ishin të falsifikuara, pasi, së pari, rezulton që bashkëshortja e të dënuarit Tafilaj ka dalë nga Shqipëria disa muaj më parë dhe nuk është në Shqipëri. Së dyti, firmat e mjekëve të spitalit QSUT në epikrizën mjekësore janë të falsifikuara dhe numrat e telefonit të mjekëve, vendosur në epikrizë, nuk ekzistojnë. Ndërkohë që, sipas personave përgjegjës të burgut që kanë shqyrtuar lejen, është shënuar në librin përkatës të lejeve se është kontaktuar me mjekët dhe ata (mjekët e QSUT) kanë konfirmuar faktin që bashkëshortja e Tafilit është e shtruar pranë tyre dhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Por, siç rezultoi nga hetimi, nuk ka pasur asnjë komunikim nga zyrtarët e burgut me mjekët e QSUT-së”, thuhet në dosjen e prokurorisë.


Sipas saj, Genc Tafili, pasi ka përfituar lejen, i shoqëruar nga mjete të burgut, nuk ka shkuar në Tiranë, por ka ndaluar në një lokal në Pajovë dhe ka qëndruar gjatë gjithë kohës së lejes së posaçme duke ngrënë drekë me miq të tij. Ky qëndrim në lokal, ka qenë nën vëzhgimin e grupit shoqërues të burgjeve, ndërkohë që leja i ishte akorduar për të shkuar në spital.


“Pas koordinimit ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimit të informacioneve, duket se plani i arratisjes nuk ka funksionuar dhe shtetasi Genc Tafili është kthyer në burg, në përfundim të orarit të përcaktuar në lejen e posaçme, pasi kishte përfunduar drekën me miqtë e tij në lokal. Fakti i ndryshimit të destinacionit të të dënuarit me leje, nga ai që ishte parashikuar për në spital në Tiranë, në një lokal në Pajovë të Elbasanit, dëshmon për përfshirjen e drejtpërdrejtë të personave të arrestuar në veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi rezulton që kanë qenë në dijeni të plotë të ndryshimit të destinacionit, madje e kanë shoqëruar me mjete policore deri sa Genc Tafili të përfundonte drekën shoqërore me miqtë e tij”, thotë prokuroria.


 


TË ARRESTUARIT


Jetmir Guzi


Ka paraqitur në Burgun e Peqinit dokumentacionin mjekësor të dyshuar si të falsifikuar në emër të shtetases Irma Tafilaj, me qëllim përfitimin e lejes së veçantë për të dënuarin Genci Tafilaj. Ka qenë në kontakt telefonik dhe personal me funksionarë të IEVP Peqin, përfshirë shtetasit Abedin Hitaj dhe Petrit Marknoj, me detyrë respektivisht përgjegjës të sektorit të sigurisë dhe juridik të IEVP Peqin. Ai ka drejtuar grupin e personave, të cilët janë marrë me përpilimin e dokumentacionit justifikues të lejes së veçantë, si dhe nëpërmjet veprimeve të dyshuara korruptive dhe ndërhyrjes së paligjshme ka influencuar pranë funksionarëve të IEVP, me qëllim sigurimin e miratimit të lejes.


Bilbil Ymeri


Punonjësi i policisë ka kryer komunikime të vazhdueshme telefonike me të dënuarin Genci Tafilaj. Ky person nën hetim është në dijeni të faktit që i dënuari posedon një aparat celular, ndërkohë që ndodhet i dënuar dhe nuk kryen asnjë veprim raportimi apo organizimi të masave, me qëllim kapjen e këtij sendi të ndaluar. Ka dyshime të bazuara se përdoret nga personi nën hetim Genci Tafilaj, që kundrejt përfitimit të paligjshëm, kryen futjen në ambientet e brendshme të IEVP Peqin, të sendeve të ndaluara, si aparate celulare, karta sim.


Avni Biça


Punonjësi i policisë kryen komunikime të vazhdueshme telefonike me të dënuarin Genci Tafilaj. Ky person nën hetim është në dijeni të faktit që i dënuari posedon një aparat celular, ndërkohë që ndodhet i dënuar dhe nuk kryen asnjë veprim raportimi apo organizimi të masave, me qëllim kapjen e këtij sendi të ndaluar. Ka dyshime të bazuara se përdoret nga personi nën hetim Genci Tafilaj, që kundrejt përfitimit të paligjshëm, kryen futjen në ambientet e brendshme të IEVP Peqin, të sendeve të ndaluara si aparate celulare, karta sim. Njofton të dënuarin Genci Tafilaj për veprime që kryhen në IEVP nga punonjësit e SHKBB Tiranë, për lëvizjet e tyre dhe për dekonspirim të veprimeve të punonjësve të këtij organi.


Gëzim Behluli


Punonjësi i policisë kryen komunikime të vazhdueshme telefonike me të dënuarin Genci Tafilaj. Ky person nën hetim është në dijeni të faktit që i dënuari posedon një aparat celular, ndërkohë që ndodhet i dënuar dhe nuk kryen asnjë veprim raportimi apo organizimi të masave, me qëllim kapjen e këtij sendi të ndaluar. Ka dyshime të bazuara se përdoret nga personi nën hetim Genci Tafilaj, që kundrejt përfitimit të paligjshëm, kryen futjen në ambientet e brendshme të IEVP Peqin, të sendeve të ndaluara, si aparate celulare, karta sim. Rezulton të ketë rakorduar me të dënuarin Genci Tafilaj gjatë periudhës që ai dhe rrjeti i tij shoqëror po angazhohej në plotësimin e dokumentacionit dhe në influencimin e funksionarëve të IEVP Peqin, me qëllim sigurimin e lejes së veçantë.


Abedin Hitaj


Përgjegjësi i sektorit të sigurisë kryen komunikime të vazhdueshme telefonike me persona pjesë e rrjetit shoqëror të të dënuarit Genci Tafilaj. Ky person nën hetim është në dijeni të faktit që dokumentacioni i dorëzuar ka qenë fiktiv dhe megjithatë ka miratuar lejen e veçantë për të dënuarin, ka përpiluar planin e masave dhe ka mbikëqyrur zbatimin në terren të tij. Ka qenë pjesë e vendimmarrjes për dhënien e lejes shpërblyese të dhënë mbi bazën e dokumenteve fiktive dhe të të dhënave joreale mjekësore. Rezulton të ketë rakorduar me të dënuarin Genci dhe rrjetin shoqëror të shtetasve Genci dhe Admir Tafilaj gjatë periudhës që ai dhe rrjeti i tij shoqëror po angazhohej në plotësimin e dokumentacionit dhe në influencimin e funksionarëve të IEVP Peqin, me qëllim sigurimin e lejes së veçantë, duke u kujdesur që dokumentacioni justifikues i lejes të ishte i plotë. Ka pasur dijeni për ndryshimin e destinacionit të të dënuarit Genci Tafilaj, gjatë zbatimit të lejes më datë 24.10.2014 nga Tirana, që rezulton në urdhër dhe në planin e masave për në një lokal në Pajovë të Peqinit, dhe megjithatë jo vetëm që nuk ka reaguar ndaj grupit të shoqërimit për këtë veprim në kundërshtim me urdhrin për miratimin e lejes, por ka dyshime se ka qenë personi që ka urdhëruar dhe miratuar ndërrimin e destinacionit. Ka dyshime se për veprimet e kryera në funksion të dhënies së lejes së veçantë ka realizuar një përfitim të paligjshëm material, të dyshuar si produkt i veprimeve korruptive, sipas ecurisë së ngjarjeve të pasdites së datës 28.10.2014.


Petrit Marnoj


Përgjegjësi i sektorit ligjor kryen komunikime të vazhdueshme telefonike me persona pjesë e rrjetit shoqëror të të dënuarit Genci Tafilaj. Ky person nën hetim është në dijeni të faktit që dokumentacioni i dorëzuar ka qenë fiktiv dhe megjithatë ka miratuar lejen e veçantë për të dënuarin. Ka qenë pjesë e vendimmarrjes për dhënien e lejes shpërblyese të dhënë mbi bazën e dokumenteve fiktive dhe të të dhënave joreale mjekësore. Madje rezulton të ketë shfaqur shqetësim gjatë komunikimit me shtetasin Jetmir Guzi, për faktin se SHKBB kishte tërhequr dosjen e lejes së Genci Tafilajt, ka dhënë emrin dhe numrin e telefonit të oficerit të SHKBB që ka kryer tërheqjen e materialeve, sipas të dhënave të rezultuara nga veprimet e përgjimit.


Rezulton të ketë rakorduar me të dënuarin Genci dhe rrjetin shoqëror të shtetasve Genci dhe Admir Tafilaj gjatë periudhës që ai dhe rrjeti i tij shoqëror po angazhohej në plotësimin e dokumentacionit dhe në influencimin e funksionarëve të IEVP Peqin, me qëllim sigurimin e lejes së veçantë, duke u kujdesur që dokumentacioni justifikues i lejes të ishte i plotë. Dyshohet se ka marrë ryshfet.