Deputeti i PS-së publikon fotot në “Facebook”. Asnjë reagim nga dy zyrtarët


2 drejtues – Tahiri, në foton e publikuar, tregon se Ristani dhe Noka kanë ardhur në lokalin e shoferit të Frrokut njëri-pas tjetrit


4 foto – Në “Facebook”, Tahiri ka hedhur gjithsej katër foto, ku Noka i drejtohet një personi në tavolinë, duke u dhënë dorën disa vetave


BLEDAR HOTI


Noka dhe Ristani (1) Noka dhe Ristani (2)


Dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, ministri Flamur Noka dhe zëvendësi i tij, Arben Ristani, janë fotografuar në një lokal me shoferin e Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Fotoja është publikuar nga ana e deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, në faqen “Facebook”. Ai publikoi disa foto të ndryshme. “Foton e ministrit Nul Moka, duke pirë kafe me Vlash Gjonin, shoferin e Arben Frrokut, të dyshuarin kryesor të policisë për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Bashkë me ta dhe Arben Ristani, me demek zv.ministër. Ndërkohë që Vlashi është dhe i afërm i Arben Frrokut. Takimi është zhvilluar te kafja në pronësi të vetë Vlashit, bar ‘Ardi’, rr. ‘3 Dëshmorët’. Pas fotos së gostisë me çifteli të Kuliçit dhe drejtuesve të lartë të Kupolës së bashku me Arben Frrokun, këto foto i shtohen dyshimit publik se tradhtia ndaj komisar Dritan Lamajt ka qenë e organizuar nga maja e piramidës së kupolës së policisë”, shkruan Tahiri në “Facebook”. Deputeti i PS-së i kërkon ministrit të Brendshëm të japë shpjegime në lidhje me këtë kafe të pirë në lokalin e Gjonit. “Ministri ka detyrimin publik të dalë e të japë llogari:


1. A është diskutuar për Arben Frrokun në atë tavolinë?


2. A komprometohen hetimet për vrasjen e Dritan Lamajt nga këto takime? 3. Cila është lidhja e Mul Mokës dhe Ristanit me shoferin dhe kushëririn e Arben Frrokut? Dhe në fund kam një koment: Sigurisht kjo foto nuk i thotë të gjitha. Sigurisht as foto e gostisë me çifteli mbase nuk i thotë të gjitha. Por e sigurt është që këto foto e shtojnë më shumë dyshimin publik për bashkëpunimin e policisë me krimin, pa kursyer as ministrin Nul Moka. Siç është e sigurt se një ministër që shkulet nga zyra për të takuar shoferin e të kërkuarit kryesor për vrasjen e një komisari dhe nuk shkulet nga zyra të takojë familjarët e vetë komisarit, ose operatorin e rrahur nga Erzen Breçani, ose qytetarët e nxjerrë jashtë shtëpive prej leckash me dhunë e plumba nga policia, lë të kuptosh se nuk është aty si ministër për të bërë detyrën ndaj qytetarëve, por me mision ndaj partisë në pushtet dhe përfaqësuesve të krimit. Siç është e sigurt se ky pushtet, ky Kryeministër me këtë ministër injorant, ka humbur përfundimisht betejën me krimin dhe sot nuk ngjall te qytetarët as besim e as siguri për jetën dhe pronën, por frikë dhe mllef për këta palaço që më shpejt lidhen me botën e zymtë të krimit sesa me hallet në dritë të diellit të qytetarëve”, shkruan Tahiri. Nënkryetari i grupit të PS-së, thekson më tej se “më 23 qershor, thjesht do të rilindim Policinë e Shtetit. Pa këta përfaqësues të kupolës më me lehtë u vjen të bëjnë gangsterin sesa shërbëtorin e qytetarëve”. Biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Selanik për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi akuzohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamajt, më 24 shkurt.


Drejtësia shqiptare kërkon ekstradimin e Frrokut, pasi dyshon se është autor i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, në zonën e “Vasil Shantos”, ku kryekomisar Lamaj, që për një kohë të gjatë ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit Nr.6 në Tiranë, u qëllua për vdekje me breshëri automatiku. Frroku u arrestua pa kaluar as 24 orë nga krimi i rëndë, në një hotel në Selanik të Greqisë. Frroku nuk e ka pranuar akuzën e rëndë. Ndërkohë që fotot e kupolës së Policisë së Shtetit me Arben Frrokun u bënë objekt i një debati në Parlamentin shqiptar, mes ministrit të Brendshëm dhe deputetëve të opozitës rreth dy muaj më parë. Gazeta “Shqip” u mundua të kontaktonte me ministrin dhe zv/ministrin e Brendshëm për një reagim të mundshëm mbi këto foto të publikuara nga deputeti i PS-së, por një gjë e tillë nuk u mundësua dot.