Socialistët mbajtën Asamblenë e Zgjeruar për Tiranën, ku u zgjodhën sekretarët e degës
Partia Socialiste mblodhi dje Asamblenë e Tiranës, për zgjedhjen e aparatit ekzekutiv të kësaj dege. Mbledhja u shoqërua me akuza të ashpra kundër qeverisë dhe optimizëm për fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i degës së PS-së për Tiranën, Sajmir Tahiri, deklaroi dje se fitorja e PS-së në zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm do të bënte të mundur ndëshkimin e të gjithë atyre zyrtarëve të lartë ose sekserëve të pushtetit të cilët kishin vjedhur dhe përfituar nga pasuria e publikut. “Do fitojmë në emër të drejtësisë, për të çuar para ligjit e pas hekurave të gjithë ata që me Saliun e pas Saliut, me fëmijët dhe familjarët e tij, me sekserët e oborrit, ministra e zyrtarë të tjerë që kanë vjedhur e kanë vrarë e sot, që ende nuk e kanë parë e provuar forcën e ligjit”, deklaroi Tahiri. Ai theksoi se fitorja e socialistëve do të çonte që të gjithë përgjegjësitë për tragjeditë e Gërdecit dhe 21 Janarit para ligjit. “Nuk do harxhojmë 1 minutë kohë nga koha e jonë për t’i nxjerrë para ligjit për ndëshkimin e merituar të gjithë ata që vranë në Gërdec, vranë më 21 janar, vodhën e dogjën, duke shkatërruar pasurinë dhe të ardhmen e vendit”, theksoi deputeti socialist i Tiranës. Nga ana tjetër, ai theksoi se PS nuk do të toleronte apo falte çdo lloj abuzimi që mund të bëhej gjatë procesit zgjedhor me votën e qytetarëve shqiptarë. Kreu i PS-së të Tiranës, Sajmir Tahiri u bëri thirrje socialistëve dhe qytetarëve që mbështesin PS-në të shkonin të qetë në kutitë e votimit. Ai i bëri thirrje mjaft ashpër çdo militanti partiak që do të përpiqej të manipulonte rezultatin dhe vidhte votën e qytetarëve. “Ju atje, banditë që jetoni në zyrat e shtetit për të vjedhur vota duke vjedhur shqiptarët, do mallkoni veten dhe ditën kur u ka shkuar në mend se edhe mund të vidhni, në qoftë se do guxoni të prekni qoftë dhe një votë të vetme. Do paguani shtrenjtë, atëherë kur të mos ketë më njeri imunitet t’ju shpëtojë. Ndëshkimi i ligjit do jetë shembullor e nuk do falet askush prej jush, kurdo qoftë, e në cilindo cep të botës shkoftë”, deklaroi Tahiri. Nga ana e tij sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi e konsideroi mbajtjen e fushatës zgjedhore, një kohë shumë kritike për shqiptarët dhe shprehu bindjen se PS do të arrinte t’ju kthente atyre shpresën për një të ardhme më të mirë. “Ne do t’u japim qytetarëve shpresë sepse kështu fitorja do të jetë jo vetëm e socialistëve, por e të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Klosi.