Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni z. Menduh Thaçi. Në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit, kryeministri Berisha theksoi mbështetjen e fuqishme të qeverisë shqiptare në përpjekjet për të rritur bashkëpunimin midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në Maqedoni, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të vendit.


“Sapo përfunduam një takim të rëndësishëm me zotin Menduh Thaçi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. I shpreha edhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, i cili lë një trashëgimi të shkëlqyer në mendimin politik shqiptar dhe në mendimin shqiptar në tërësi. Një trashëgimi, e cila do të frymëzojë shqiptarët në mbrojtjen e idealeve dhe interesave të tyre. Zoti Menduh më informoi mua mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton. Unë e garantova se për ne avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore. Në këtë kontekst ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë. Bisedimet kaluan në një atmosfere mirëkuptimi të plotë”, u shpreh Berisha pas takimit.


Nga ana e tij, kreu i PDSH, Menduh Thaçi theksoi se e kishte informuar kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare, qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian.


“Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe me parë garantova Kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Europian dhe në NATO”, – u shpreh Thaçi në fund të takimit me kryeministrin Berisha.

21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com