Presidenca mohon dhe i cilëson si të pavërtetë lajmin për mospagimin e taksave vjetore për automjetin privat të Presidentit Bujar Nishani. Në një njoftim për mediat, kabineti i presidentit thekson se:
“Në lidhje me njoftimin e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, për mospagimin e taksave të automjetit privat nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për vitin 2010, Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron se ky njoftim është i pasaktë. Këto taksa për vitin 2010, janë paguar në mënyrë korrekte”. Bashkëlidhur me sqarimin është publikuar edhe një kopje e dokumentacionit përkatës.
Një ditë më parë u publikua në media një listë të politikanëve që nuk kishin paguar taksat e automjeteve të tyre private. Mes tyre figuronte emri i presidentit Bujar Nishani dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar. Mesditën e sotme, ministri i Transporteve Sokol Olldashi kërkoi publikisht ndjesë për atë që e cilëson si një shkujdesje njerëzore. Ai deklaroi se mëngjesin e sotëm ka paguar detyrimin e prapambetur në zyrën e taksave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Prezë.
5 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)