Intervista


Flet ish-ambasadori shqiptar në Uashington


Fatjona Mejdini


Ish-ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa, jep qëndrimin e tij në lidhje me vizitën e ministrit serb Mrkiç në Shqipëri. Sipas tij, kjo vizitë ishte shumë normale dhe e nevojshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Shqipëria s’kishte pse të sillej si një vend ksenofob në një moment kur edhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi u shërbente kryerja e një diplomacie aktive nga ana e Shqipërisë.


Z. Tarifa, si e shikoni vizitën e ministrit të Jashtëm të Serbisë në Tiranë dhe po kështu zërat kundër kësaj vizite?


E shikoj si një vizitë normale, si një akt politikisht dhe diplomatikisht normal, midis dy vendeve që kanë interesa të kenë marrëdhënie politike, diplomatike, tregtare dhe kulturore normale, edhe pse midis nesh ndodhet çështja e Kosovës. Unë mendoj se shkëmbimet dhe në kuadër të vizitave të përfaqësuesve të diplomacisë së vendeve të një rajoni janë pozitive. Ato i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe gjithashtu forcimit të atmosferës së bashkëpunimit në rajon. Ne nuk duhet të trembemi nga vizitat e diplomatëve të huaj dhe ministrave në Shqipëri, qoftë ky edhe ministri i Serbisë. Ne nuk kemi pse të jemi ksenofobë, vetëm një demokraci pasive, me diplomatë të trembur, u frikësohen kontakteve me diplomatë të huaj. Shqipëria nuk ka asnjë të keqe nga bashkëpunimi, nga bisedat në nivel diplomatik dhe politik, përkundrazi shkëmbime të tilla veçse mund të shërbejnë për mirë, jo vetëm për të dyja vendet, por edhe për Kosovën në këtë rast. Kjo në rastin kur palët që negociojnë janë të barabarta. Unë nuk e kuptoj shqetësimin dhe revoltën e Aleancës Kuqezi që e kundërshton vizitën e ministrit të Jashtëm serb. Mua më duket një qëndrim anakronik ky, kurse vlerësoj pozitën e qeverisë shqiptare në këtë rast, që është e gatshme të presë, të bisedojë në periudha të barabarta si palë të barabarta, kryediplomatin e Beogradit. Mesa di unë, kjo është një vizitë që shkëmbehet në kuadër të vizitës që ka bërë më parë ish-ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në Beograd dhe qëndrimet e kësaj natyre janë më se normale, mes vendeve me marrëdhënie normale diplomatike me njëri-tjetrin.


Si pritet të ndikojë kjo vizitë në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës?


Kosova nuk ka pse të bëhet pengesë me marrëdhëniet tona me Serbinë, përkundrazi marrëdhëniet tona me këtë vend mund t’i shërbejnë përmirësimit të situatës në Kosovë dhe zgjidhjes së problemeve që ky vend ka me Serbinë.