Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit, deklaroi se teatri është i gjithë shqiptarëve dhe jo i Partisë Socialiste, Erion Veliajt, dhe i askujt tjetër. I pranishëm në shesh, mes njerëzve që protestuan, Olldashi e cilësoi dhunën ndaj protestuesve si të patolerueshme.
“Është e pajustifikueshme të prishësh Teatrin Kombëtar duke tërhequr zvarrë, burra, gra, artistë edhe aktivistë. Është monument kulture i shtetit shqiptar. Teatri është i shqiptarëve, nuk është as e PS-së, as e Erjonit, as e jona”- tha Olldashi.
Gjatë orëve të para të ditës së sotme është shembur godina e Teatrit Kombëtar. Aksioni për shembjen e kësaj godine ka nisur 04:30 të mëngjesit të sotëm, ku pati përplasje. Mësohet se në Polici janë shoqëruar Gazment Bardhi, Edi Paloka, aktori Neritan Liçaj, Monika Kryemadhi, Robert Budina, Titi Seranaj, Silva Caka dhe dhjetëra qytetarë.
Por përplasjet vijojnë, pak më parë dhjetëra qytetarë çanë kordonin e policisë, në sheshin pranë teatrit. Basha ka paralajmëruar aksion opozitar, ndërsa Kryemadhi iu bëri thirrje shqiptarëve që braktisin gjendjen e fatkeqësisë natyrore.