Rrezikohet dështimi i numërimit elektronik, qeveria s’ka çelur fondet


BLEDAR HOTI


Nëse brenda muajit janar nuk realizohen prokurimet e nevojshme, atëherë teknologjia e re e parashikuar për zgjedhjet e reja parlamentare mund të mos zbatohet, duke u cilësuar si një dështim. Alarmi për shkeljen e afateve po jepet nga opozita, e cila i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përfundojë në kohë procesin ligjor, i parashikuar në Kodin Zgjedhor. Sfida më e madhe për KQZ-në është aplikimi i dy risive të reja, që kanë të bëjnë me numërimin elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve në procesin e votimit, kjo vetëm për Qarkun e Tiranës. KQZ-ja është me afro dy muaj vonesë në procesin e teknologjisë, pasi Kodi në nenin 179/1 përcakton se “jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, KQZ-ja fillon përgatitjen e projektit për ngritjen e sistemit të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV) dhe sistemit elektronik të numërimit (SEN). Në përgatitjen e projektit të SEV-it përfshihen edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme”. Më tej theksohet se procedurat për blerjen e shërbimit dhe/ose pajisjeve të Sistemin Elektronik të Numërimit (SEN) dhe Sistemin e Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV) kryhen me operatorë të mirënjohur që ofrojnë teknologji të provuara me sukses në fushat respektive. Procedurat e prokurimit, si rregull, duhet të përfundojnë jo më vonë se 6 muaj përpara zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2013. Nëse zgjedhjet mbahen më 23 qershor të 2013, atëherë në janar duhet t’i realizojë ato në janar të vitit të ardhshëm. KQZ-ja akoma nuk ka miratuar planin e veprimit të zbatimit të kësaj teknologjie. “Për futjen dhe zbatimin e teknologjisë së re informative në procesin zgjedhor, KQZ-ja miraton një plan veprimi. Vendimi miratohet me votën “pro” të jo më pak se pesë anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në pikën 1 të nenit 179. Procedurat për blerjen e shërbimit dhe/ose pajisjeve të SEN-it dhe SEV-it kryhen me operatorë të mirënjohur që ofrojnë teknologji të provuara me sukses në fushat respektive. Procedurat e prokurimit, si rregull, duhet të përfundojnë jo më vonë se 6 muaj përpara zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2013. Çështja e aplikimit të teknologjive të reja u ngrit si shqetësim nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili kërkoi të njihej me punën e ndërmarrë nga institucioni që ka në përgjegjësi administrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjonçaj shprehet për gazetën “Shqip” se “KQZ-ja ka paraqitur një material me shkrim për këtë proces, një informacion i përgjithshëm mbi këtë proces”. Në Kodin Zgjedhor ka një manual për proceset SNV dhe SEV. Në të parashikohet se jo më vonë se 90 ditë përpara datës së zgjedhjeve, KQZ-ja zhvillon, në prani të përfaqësuesve të partive politike, vëzhguesve dhe medias, një provë të plotë, duke simuluar një numërim real, në lidhje me funksionimin e SEN-it. Por kjo nuk është realizuar. Nënsekretari i PS-së, eksperti i hartimit të Kodit Zgjedhor bën përgjegjës qeverinë për vonesat e këtij procesi. Ekzekutivi ka një rol të posaçëm në realizimin e dy teknologjive të reja. Sipas tij, përgjegjësja kryesore për vonesën është qeveria, që jo vetëm nuk po e shtyn këtë proces, por po e vonon qëllimisht alokimin e fondeve. “Nëse brenda muajit janar nuk do të kemi gati makineritë, atëherë aplikimi i teknologjisë mund të quhet një dështim”, përfundoi Çuçi.


Zëvendësministri


Poni: Në Tiranë, qendrat e votimit me 700 zgjedhës


Qendrat e Votimit në Tiranë nuk do të jenë me nga 1000 votues. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një prononcim për median vizive “AS TV”, bën të ditur se këto qendra për zgjedhjet 2013-s do të jenë me nga 700 zgjedhës. “Nuk do ketë më qendra votimi nën 200 zgjedhës dhe nuk do ketë qendra votimi mbi 1000 zgjedhës. Ndërsa për Tiranën, për shkak të identifikimit nëpërmjet dokumenteve të identitetit, qendrat e votimit nuk do të jenë më të mëdha se 700 zgjedhës. Këto detyra bëhen me të zgjedhurit vendorë. Ata duhet ta përditësojnë atë dhe ta kenë të gatshëm në afatet që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton”, tha Poni. Në listën e zgjedhësve janë shtuar filtrat për kapjen e dublimeve. Poni shprehet se për procedurat që do të ndiqen për heqjen e dublimeve të mundshme është edhe dakordësia e ekspertëve të Partisë Socialiste. “Jemi përpjekur të kemi një filtër shumë rigoroz për gjetjen e dublimeve. Kemi shtuar kriteret e kapjes. Këtë punë po e bëjmë së bashku”, tha Poni.


90 ditë: KQZ-ja, 90 ditë përpara 23 qershorit duhet të realizonte provat e para të numërimit elektronik


6 muaj: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve, duhet të realizojë tenderin për teknologjinë


5 vota: Plani i veprimit për teknologjinë e re në zgjedhje duhet të miratohet me 5 vota pro të anëtarëve të KQZ


700 votues: Vetëm në Tiranë, një qendër votimi do të ketë 700 zgjedhës. Kjo për shkak të zbatimit të teknologjisë së re


Fieri: Dy partitë e mëdha kanë përzgjedhur Qarkun e Fierit për të aplikuar numërimin elektronik të zgjedhësve. Ky qark ka qenë përherë problematik në numërimin e votave


Tirana: Qarku i Tiranës është përzgjedhur për identifikimin e zgjedhësve me një sistem elektronik të votuesve. Tirana ka qenë përherë shkak i debateve për dublimet dhe shtimit të zgjedhësve


Qeveria: Qeveria duhet të përcaktojë fondin për teknologjinë e re. Kur po i afrohemi afatit të fundit 6-mujor, qeveria nuk ka marrë ende një vendim për dhënie fondesh në adresë të KQZ-së