INSTAT: Shënohen rritje të bebeve të lindura në vitin e parë të bashkëjetesës zyrtare


Para viteve ’90 për të krijuar familje në fillim duhet të ndiqje disa rregulla, të ishte brenda kornizës etike të formuar kryesisht mbi përcaktime verbale, të përpunuara mirë nga opinioni publik. E mira ishte që pasi të kishe mbaruar shkollën apo të ishe futur në punë, të fejoheshe e martoheshe. Fill pas këtyre procedurave rregullat thoshin se është edhe momenti i përshtatshëm për të bërë fëmijë dhe çifti ishte në kushtet e favorshme për të bërë fëmijë, brenda përcaktimeve për të nisur procedurën e riprodhimit. Pas viteve ’90, shumica e fëmijëve të parë lindin në vitin e parë dhe të dytë të martesës, ndërkohë që trendi i viteve të fundit referon një numër të konsiderueshëm të fëmijëve që lindin në vitin e parë të martesës, por që në fakt janë nisur para ceremonisë së martesës apo celebrimit.


Moda e viteve të fundit, për të rinjtë e sotëm është bërja e një fëmije dhe më pas procedurat e martesës zyrtare para ligjit, apo organizimit të dasmës, martesës mes të afërmve dhe miqve.


Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave raportojnë se një pjesë e mirë e fëmijëve, sidomos pas viteve 2000 janë mbarsur para se prindërit e tyre të martoheshin, dhe konkretisht në kohën e fejesës, bashkëjetesës apo njohjes. Sipas planifikimit familjar  shumica e të rinjve të sotëm kërkojnë të bëjnë një fëmijë e më pas të angazhohen zyrtarisht apo ligjërisht në lidhje martese. Duke konsideruar këtu shifrat e INSTAT, trendi i viteve të fundit është të bëjmë fëmijë pastaj të martohemi. Planifikimi familjar njeh periudhën 6 muaj përgatitje para nisjes së një fëmije.


INSTAT


Në vitet ’90 deri në ’93, fëmijët në vitin e parë të martesës lindin nga 19 deri në 22 për qind të rasteve.


Nga vitet ’95 deri në ’99, sipas INSTAT nga 18-19 për qind e fëmijëve, lindin në vitin e parë të bashkëjetesës zyrtare.


Në vitin 2000 rezulton se janë rreth 29 për qind e fëmijëve të lindur në këtë kohë, janë konceptuar para martese dhe të ardhur në jetë në vitin e parë të martesës.


Më 2001-2002 kemi një rënie të përqindjes së fëmijëve që lindin në vitin e parë të martesës me 17-18 për qind të rasteve.


Ndërkohë që INSTAT raporton sërish rritje të numrit të tyre në vitin 2003. Kështu, në këtë vit regjistrohen mbi 20 për qind e lindjeve në vitin e parë të martesës.


Në vitet 2006-2007, përqindja e tyre shkon nga 23 në 28 për qind. Dhe viti i fundit i pasqyruar në referencat e Institutit të Statistikave, 2008 regjistrohet edhe numri më i madh i fëmijëve të lindur në vitin e parë të martesës me 32 për qind të rasteve.


Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë një pjesë e mirë e popullatës njohin “shkencën” e planifikimit familjar, por pavarësisht kësaj kemi një numër të ulët të çifteve që përdorin metoda kontraceptive.


Mbi 80 për qind e shqiptarëve përdorin tërheqjen si metodë parandalimi për shtatzënitë e padëshiruara.


Kontracepsioni


Studimi Demografik Shëndetësor që u zbatua gjatë viteve 2008 – 2009, tregoi, që përdorimi i metodave moderne kontraceptive ishte rritur në krahasim me të dhënat e ofruara nga Studimi i Shëndetit Riprodhues i vitit 2002, por përsëri mbetet në nivelin 11%. Fakti që niveli i prevalencës së kontraceptivëve modernë është rritur ngadalë tregon nevojën për më shumë ndërhyrje strategjike drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të planifikimit familjar, si dhe më shumë ndërhyrje në fushën e edukimit dhe promocionit shëndetësor për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës në këtë fushë.


Sipas studimeve të popullatës, anketimeve, studimit të vizitave në qendrat e planifikimit familjar, por edhe në bazë të vëzhgimeve, specialistët e shëndetit publik, në bashkëpunim me disa organizata shëndetësore kanë mbledhur një rrjet të dhënash për sa i takon planifikimit familjar, metodave të përdorura për mbrojtje gjatë marrëdhënieve seksuale. Këta specialistë kanë bërë edhe sugjerime për sa u takon pikave që duhet të përmirësohen në kujdes të popullatës.


Nga të dhënat e studimit të kryer të grupeve të indikatorëve të shumëfishtë në vitin 2006, rezultoi se përdorimi i metodave moderne kontraceptive ka arritur në vlerat 22.3%, ku 10.8% e zë përdorimi i prezervativit. Për sa u përket metodave tradicionale, ato luhaten në vlerën 37.7%, ku tërheqja zë 28.1%.


Po kështu, edhe për vitet 2007-2008 ka një rritje të përdorimit të metodave kontraceptive me rreth 7% për çdo vit.


 


Som


Në Shqipëri kemi shkallë të lartë të përdorimit të metodave kontraceptive, por shkallë të ulët të përdorimit të metodave moderne, ku metoda tradicionale e tërheqjes mashkullore zë 67% të përdorimit dhe metodat moderne vetëm 8%


Viti i fundit i pasqyruar në referencat e Institutit të Statistikave, 2008 regjistrohet edhe numri më i madh i fëmijëve të lindur në vitin e parë të martesës me 32 për qind të rasteve, ndërsa ka tendencë rritjeje deri në 2012-n


Trendi


I viteve të fundit në radhët e të rinjve është për të bërë fëmijë para martese. Konceptimi i tyre bëhet para celebrimit dhe lindja në vitin e parë të martesës


Rritja


Vitet e fundit, përqindja e fëmijëve të lindur në vitin e parë të martesës është disa herë më e lartë sesa në vitet ’90, kjo sipas statistikave të INSTAT


Përgatitja


Koha e përgatitjes për të bërë një fëmijë, sipas metodave të planifikimit familjar është rreth 6 muaj përpara konceptimit.


Metodat  


Shqiptarët në shumicën e rasteve, si metodë për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara kanë tërheqjen mashkullore, vetëm 11% përdorin metoda moderne