Tiranë


Shitësja qëlloi autorin që kishte pistoletë në dorë, i cili e kërcënoi: Mos lëviz, do të vras, paratë


Sokol Çobo


Një shitëse kurajoze ka arritur të parandalojë një grabitje me armë në argjendarinë që e kishte në pronësi me bashkëshortin. Shpresa S. e ka parë veten ngushtë, kur në dyqanin e saj të vogël në afërsi të kryqëzimit te “21 Dhjetori”, është futur një person që mbante pistoletë në dorë. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, kur një person rreth 17-18 vjeç ka kërcënuar gruan që ndodhej e vetme në argjendari, në të cilin kishte mall që vlente miliona lekë. Me shpejtësinë e madhe, autori e kërcënoi shitësen pronare, duke i thënë “mos lëviz, do të vras, paratë”. Një tjetër veprim i tij ishte qëllimi me qytë pistoletë i xhamit ku mbaheshin tabakatë me flori, me qëllim që të merrte prej andej varëset, unazat dhe byzylykët e florinjtë. Megjithatë, adoleshenti kurrë nuk e kishte menduar një reagim të shitëses, e cila megjithëse para kërcënimit të pistoletës, ka reaguar. Ajo ka dalë me shpejtësi nga banaku duke ulëritur dhe kërcënuar adoleshentin, madje i tha “largohu”. I shtangur nga ky veprim i shitëses, adoleshenti ka ngurruar fillimisht, është tkurrur dhe i është drejtuar derës. Shpresa e ka ndjekur me shpejtësi dhe duke vrapuar nëpër banak e ka zënë te dera e jashtme, duke e qëlluar me pëllëmba. Më pas, e ka kapur prej bluze dhe me lëvizje të shpejta e ka qëlluar në kokë, duke i rrëzuar kapelën. I hutuar nga ky veprim dhe me pistoletën që mbante në dorë, të mbështjellë me një qese, adoleshenti ka filluar të lëvizë me shpejtësi dhe është drejtuar te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, duke i shpëtuar gruas. Pas këtij episodi, Shpresa ka marrë në telefon bashkëshortin duke i treguar të gjithë ngjarjen, konfliktin me adoleshentin. Burri, i cili ndodhej te zona e “Bërrylit” është drejtuar me shpejtësi te dyqani ku qëndronte shumicën e kohës vetëm. Në të njëjtën kohë, ai i ka thënë Shpresës se duhet të lajmëronte policinë.


 


Sekuestrohet kamera


Pas ngjarjes, Shpresa ka marrë në telefon numrin 129 të sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke i treguar për ngjarjen. Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht dy agjentë të Komisariatit të Policisë Nr.2, që ndodhen disa metra larg vendit të ngjarjes, të cilët kanë rrethuar me shirita “zonë krimi” dyqanin, në pritje të ekspertëve të kriminalistikës, të cilët kanë mbërritur pas disa minutash. Ekspertët kanë marrë shenjat e lëna mbi banak nga autori dhe kanë bërë dokumentimin e tyre me fotografi. Një nga provat ishte shenja e lënë mbi banak nga ana e autorit, i cili kishte qëlluar me tytë pistolete banakun, për të çarë xhamin dhe për të marrë tabakatë ku ndodheshin sendet e florinjta. Xhami ka qenë pjesërisht i thyer. Ndërkohë, një tjetër provë për policinë ka qenë kapelja e autorit që i ka rënë jashtë dyqanit, në momentin që Shpresa e kishte qëlluar me pëllëmba. Një tjetër provë janë edhe shenjat në derën e xhamtë të hyrjes për në dyqan, ku mendohet se autori e ka hapur. Gjithsesi, prova kryesore për akuzën është kapelja, pasi mund të ketë lënë ndonjë qime.


 


Sekuestrohen pamjet


Ekspertët e kriminalistikës kanë këqyrur edhe sistemin e sigurisë në dyqanin e argjendarisë. Ata kanë sekuestruar CD-në ku ishin të regjistruara momentet që autori kishte hyrë në argjendari dhe përleshjen me shitësen. Sipër banakut ku rrinte shitësja, ishte një ekran ku dukeshin regjistrimet “live” të sistemit të sigurisë. Megjithatë, autori ka vijuar planin, sipas të dhënave, autori mbante një palë pantallona të shkurtra, një bluzë blu dhe një kapele të zezë.


 


Qytetarët:


Grabitjet, pasojë e krizës ekonomike në Shqipëri


Dhjetëra qytetarë kureshtarë ndalonin për të mësuar më shumë rreth grabitjes së argjendarisë. Njëri prej tyre, duke pyetur policët dhe gazetarët, pasi mësoi se kishin tentuar të merrnin florinjtë e argjendarisë, pohoi se “është pasojë e krizës ekonomike çuna, kriza i ka sjellë të gjitha këto krime”. Ndërkohë, një tjetër person pohoi se situata është e nderë dhe përditë dëgjojnë një krim të ri që ka “pushtuar” Shqipërinë. Ata thonë se e gjitha kjo situatë është nga kriza ekonomike.


 


Dëshmia


Pronari i argjendarisë: Asnjë siguri për jetën, kështu nuk vazhdohet  


Pronari i argjendarisë vijon të jetë i tronditur, teksa shpeshherë lëvizte në dyqan teksa vizitohej nga të afërmit. Fjalët e para të vizitorëve ishin “shyqyr që ishte me kaq dhe nuk pësoi gjë Shpresa”. Megjithatë, pronari rreth të pesëdhjetave, pohon se me një situatë të tillë nuk mund ta vazhdojë biznesin, pasi përditë po ndodhin krime të tmerrshme. Ai tha se nuk i intereson nëse zbardhet apo jo krimi, pasi “ajo që ndodhi, ndodhi”. Pohon se po mendon që të mbyllë aktivitetin, pasi “është biznes me gjak”. Megjithëse e pranon se e rëndësishme është që Shpresa nuk ka pësuar asnjë dëmtim. “Është grua kurajoze, e mbron pronën e saj me gjak”, vijon të pohoj 50-vjeçari, duke u ndaluar më pas te puna e policisë për parandalimin e kësaj ngjarjeje. “Nuk ka asnjë kuptim që çështja të hetohet apo të gjendet autori. Krimi mund të parandalohej, mjafton që këta persona të dënohen siç e parashikon ligji dhe jo të vuajnë dy-tre muaj dhe sërish të dalin në rrugë, duke terrorizuar të gjitha bizneset”, vijon pronari.


 


Si e morët vesh ngjarjen?


Më lajmëroi bashkëshortja. Më tha se dikush kishte hyrë në argjendari. Ndeshesha te zona e “Bërrylit”. Mora një taksi për të shkuar te dyqani. I thashë Shpresës se duhet të lajmëronte policinë.


Çfarë ju tha bashkëshortja për ngjarjen?


Më tregoi se një person kishte hyrë në dyqan, mbante kapele në kokë dhe kishte veshur pantallona të shkurtra. Në dorë kishte një pistoletë që e mbante në një qese. Kishte qëlluar banakun me qytë duke e thyer. Më pas Shpresa i ishte kundërpërgjigjur dhe e kishte qëlluar me pëllëmba. Ishte një veprim tepër kurajoz dhe Shpresa është një grua që nuk të fal për pronën e saj, e mbron me gjak.


Ju kanë grabitur më parë?


Asnjëherë në këtë mënyrë, por kanë bërë tentativa të tjera. Kam sistemin e kamerave dhe sistemin e alarmit. Megjithatë, nuk me intereson zbardhja apo jo. E rëndësishme për mua është që Shpresa nuk ka pësuar asnjë gjë, pasi zbardhja është punë e policisë. Mendoj të mbyll aktivitetin, pasi është biznes me gjak. Nuk mund të lë djalin dhe bashkëshorten me këtë situatë dhe me ato që dëgjojmë përditë. Autorët, në të shumtën e rasteve dalin nga burgu dhe sërish godasin biznesin e vogël.


 


 


Mbrojti pronën


“Shpresa i ishte kundërpërgjigjur dhe e kishte qëlluar me pëllëmba. Ishte një veprim tepër kurajoz dhe Shpresa është një grua që nuk të fal për pronën e saj, e mbron me gjak”