Dëshmia


Aleksandër Ahmetaj goditi 16 herë me thikë kunatin


Ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë më parë në një fshat të Fierit, ku i plagosuri kaloi në gjendje kome


Edmond Hoxhaj


policia e fieritPranon autorësinë e tentativës së vrasjes së kunatit dhe tregon edhe arsyen pse vendosi që së bashku me të dashurën e tij të qëllojë 16 herë me thikë në kraharor vëllain e bashkëshortes, Saimir Xhaferajn nga Griza e Patosit. Aleksandër Ahmetaj, 47-vjeçari nga Sektor Semani i Rrethit të Fierit, ka pranuar para hetuesve se ai ka shkuar në shtëpinë e kunatit të tij, Saimir Xhaferaj, posaçërisht për ta vrarë këtë të fundit, pasi ndihej xheloz që e “dashura” e tij flinte me bashkëshortin e saj të ligjshëm. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale të policisë, të cilat sqaruan se pas arrestimit dhe vënies përballë provave të siguruara, 47-vjeçari Ahmetaj është rrëfyer, duke treguar edhe motivin e tij të krimit. “Unë kisha krijuar një lidhje dashurore me Edmirën, bashkëshorten e kunatit tim. Kam pasur një ndjenjë të fortë dashurie me Edmirën dhe për këtë arsye ndihesha xheloz ndaj bashkëshortit të saj, Saimirit. Ka qenë xhelozia që më ka shtyrë të kryej këtë krim. Prandaj kam shkuar atë mbrëmje në shtëpinë e kunatit e të vjehrrës sime”, mësohet të jetë shprehur para hetuesve 47-vjeçari Aleksandër Ahmetaj. Ndërkohë, 27-vjeçarja Edmira Xhaferaj nuk ka dhënë shumë shpjegime për ngjarjen dhe ka preferuar të heshtë. Burime të policisë pohojnë se është bërë e mundur që nga dëshmitë e marra në vendngjarje dhe nga rrëfimi i autorit të dyshuar dhe bashkëpunëtores së tij, Ermira Xhaferaj, është kryer paraprakisht rindërtimi i dinamikës së ngjarjes. Sipas burimeve të bluve, 47-vjeçari Ahmetaj ka shkuar mbrëmjen e së shtunës në shtëpinë e Saimir Xhaferajt në Grizë të Fierit. Aleksandri është ndodhur pranë një prej dritareve të banesës së Saimirit, kur ky i fundit e ka pikasur dhe i ka tërhequr vëmendjen se çfarë bënte aty. I prangosuri i ka thënë se kishte ardhur për vizitë e të shikonte se si po kalonin. Por vizita në atë orë të vonë dhe mënyra e sjelljes së Aleksandrit i ka forcuar dyshimet që 33-vjeçari Saimir Xhaferaj kishte pasur rreth një lidhjeje të mundshme dashurore mes bashkëshortes së tij, Edmirës, dhe kunatit. Në këtë moment ka nisur debati mes tyre, por Aleksandri që mendohet të ketë qenë i parapërgatitur, e ka qëlluar me thikë 33-vjeçarin. Sipas policisë, ai është ndihmuar edhe nga bashkëshortja e Saimirit me qëllim që ta vrisnin këtë të fundit. Por zhurmat dhe të bërtiturat kanë alarmuar familjarët e Saimirit që jetojnë aty pranë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë parë se si Aleksandri së bashku me Edmirën kanë tentuar që të vrasin Saimirin. Madje dyshohet se autorët kanë menduar se kishin arritur ta vrisnin dhe në këtë moment Aleksandri është larguar me shpejtësi me makinë duke u drejtuar për në Pikën Kufitare të Kakavijës, por është ndaluar nga Policia e Gjirokastrës pas shpalljes së tij në kërkim. Familjarët e Saimirit e kanë transportuar atë për në Spitalin e Fierit, ku pasi ka qëndruar për rreth 30 orë në gjendje kome, ka mundur t’u mbijetojë 16 plagëve të marra si pasojë e goditjeve me thikë. Mësohet se tashmë ai e ka kaluar rrezikun për jetën dhe pritet të japë deklarimet dhe versionin e tij të ngjarjes, pasi të përmirësohet. Paraditen e sotme, Gjykata e Fierit pritet të caktojë masën e sigurisë ndaj Aleksandër Ahmetajt dhe Edmira Xhaferajt të akuzuar për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese për marrëdhënie familjare të kryer në bashkëpunim. Nga burime të gazetës, bëhet e ditur se dyshohet që gjithçka të ketë ndodhur për shkak të një lidhjeje intime jashtëmartesore mes bashkëshortes së Saimirit, Edmirës, dhe burrit të motrës së tij, Aleksandrit.