Një tërmet i fuqishëm ka goditur sot rajonin e Emilias në Italinë e Veriut, duke lënë të paktën 15 të vdekur ndërkohë që të tjerë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja, raporton media italiane. Tërmeti me magnitudë 5,8 ballë ka rënë rreth orës 9 të mëngjesit duke u pasuar nga dy lëkundje të tjera, që janë përsëritur rreth orës 13:00.


Si rezultat i lëkundjeve të fuqishme, shumë ndërtesa janë shembur, sidomos në Milano dhe Bolonja dhe shumë njerëz janë evakuuar në vende më të sigurta. Tërmeti i sotëm goditi të njëjtën zonë ku dhjetë ditë më parë një tërmet tjetër vrau shtatë vetë e shkatërroi shumë ndërtesa.


Tronditjet u ndjenë sidomos në Milano e Bolonja, ndërkohë që alarmi për tërmetin është dhënë në gjithë Italinë e Veriut, madje edhe në Austri. Njerëzit dolën me shpejtësi nga ndërtesat pas lëkundjeve të para të tërmetit në orën 9:03 të mëngjesit të sotëm, por të tjera lëkundje më të lehta pasuan në orët e mesditës, duke e rritur panikun dhe pasigurinë mes banorëve të zonës.


Raportohet se shumë ndërtesa që nga tërmeti i mëparshëm shënuan dëmtime, kësaj here u rrëzuan totalisht. Thirrjet për ndihmë mbingarkuan rrjetin telefonik të zonës duke shkaktuar ndërprerje shërbimi ndërsa trenat u ndalën në shumë linja. Punëtorët u evakuuan nga ndërtesat në Bolonja.


Tërmeti goditi 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në thellësinë 9.6 kilometra.


Italia gjendet në një zonë shumë të prekur nga tërmetet. Në vitin 2009, një tërmet në zonën e Akuilas solli vdekjen e mbi 300 njerëzve. Rreth 7 mijë njerëz që mbetën pa shtëpi nga tërmeti vijojnë të jetojnë në kampe të improvizuara nga qeveria.


29 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)