Mediat kosovare kanë raportuar gjatë së mërkurës se Imami i xhamisë së Prishtinës, Shefqet Krasniqi, është arrestuar sërish, disa ditë pasi ai u shoqërua për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e më pas u lirua.
Zyra e kryeprokurorit të shteti njoftoi atëherë se hetimet do të vazhdonin sipas procedurës së përcaktuar me ligj, teksa sipas njoftimeve të policisë Imami Krasniqi akuzohet për nxitje të urrejtjes fetare dhe ekstremizmit.
Përveç tij, këtë herë janë arrestuar edhe Imami i Pejës, Enes Goga, dhe ai i Mitrovicës, Enis Rama; ashtu sikurse dhe lideri i partisë LISBA, Fuad Ramiqi.
Shoqërimi i Krasniqit në fillim të muajit erdhi në kuadër të një operacioni të gjerë policor, që u zhvillua në dhjetë vendndodhje në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren. Burimet thanë se ishte kontrolluar edhe shtëpia e Krasniqit në Prishtinë.
17 shtator 2014 (gazeta-Shqip.com)