Peleshi: Berisha të mos bëjë ndarjen e granteve mbi baza partiake
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i ka bërë dje thirrje qeverisë që të mos bëjë ndarjen e granteve të buxhetit të vitit 2013, mbi baza të përkatësisë politike, por vetëm duke u bazuar tek interesat e qytetarëve. Këtë deklaratë Peleshi e bëri në kuadër të miratimit të buxhetit të ri në vend, i cili përkon dhe me një vit elektoral siç është 2013-a. “Financat vendore janë duke përjetuar goditje të njëpasnjëshme. Është një e vërtetë e hidhur në fakt, që në këto vite të qeverisjes nga njëra anë transferta e pakushtëzuar nuk u rrit, nuk u disafishua, siç u premtua dhe nga ana tjetër ka vazhduar një ndarje selektive e granteve të kushtëzuara”, bëri thirrje kryebashkiaku i Korçës. Sipas tij, në këtë vit të vështirë qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme me financat për njësitë vendore, pasi mund të rrezikohet edhe kolapsi i tyre.