Katedralja e re ortodokse


Kompleksi i veprës përbëhet nga këto korpuse: Kisha Katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore


Katedralja në Tiranë “Ngjallja e Krishtit”, e ndërtuar në qendër të kryeqytetit në vendin e kishës së vjetër, u shkatërrua më 1967-n


Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, pas përfundimit të meshës, ka marrë pjesë dje në drekën e shtruar me krerët e kishave ortodokse në botë


Në orën 18:00 të ditës së djeshme, u mbajt edhe një koncert festiv rinor në qendrën kulturore moderne, në ambientin e Kishës Katedrale


Artemisa Hoxha


Shenjtërimi i kishës së re, katedralja “Ngjallja e Krishtit”, mblodhi dje në kryeqytet përfaqësitë më kryesore të besimit ortodoks në botë. E konsideruar si një nga meshat më të rëndësishme të besimit fetar ortodoks, u çel nga Tërëshenjtëria e Tij, patriarku Ekumenik Bartolomeu I, si dhe më pas nga fjalimet dhe mesazhet e paqes për një harmoni në botë u bënë edhe nga kryepeshkopët e tjerë të ortodoksisë botërore. Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e shenjtërimit të kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë botën. Ndërkohë që të pranishëm ishin edhe Fortlumturia e Tij, patriarku i Jerusalemit, Theofili i III, patriarku i Rumanisë, Danieli, kryepeshkopi i Greqisë, Jeronimi, i Qipros, Krisostomi, peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Nikon Liolini, kryepeshkopi i Varshavës, Sava, patriarku i Serbisë, Irinej, dhe delegacioni i Kishës Ortodokse të Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë. Ceremonisë së djeshme të meshës së shenjtërimit të katedrales i janë bashkuar edhe krerë të komuniteteve të tjera fetare në vend, çfarë tregon edhe një herë harmoninë fetare që ekziston mes tyre. Pas kryerjes së ritualeve që parashikon edhe liturgjia ortodokse, kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, mbajti edhe një fjalë të posaçme. Kreu i kishës shqiptare, u ndal te vështirësitë që ishte përballur në fillim të viteve ‘90 kur erdhi për herë të parë në vendin tonë. Por pas gjithë këtyre viteve përpjekje dhe mund, Janullatosi tha se “kjo kishë është simboli më i mirë, se ortodoksizmi në Shqipëri ka rilindur”.


[callout]Takimi – Disa nga krerët e kishave ortodokse që morën pjesë dje në shenjtërimin e katedrales ortodokse në Tiranë, do të takohen sot me Presidentin e vendit, Kryeministrin, kreun e Parlamentit, si dhe drejtues të tjerë të lartë në vend.[/callout]


Bashkohet politika


Mesha për shenjtërimin e katedrales ortodokse, përveçse ka mbledhur gjithë kryepeshkopët ortodoksë në botë, nga njëra anë ka shërbyer edhe për bashkimin e liderëve politikë në vend. Të gjendur shumë rrallë pranë njëri-tjetrit, dje drejtuesit më të lartë në vend, duke filluar që nga Presidenti i vendit apo dhe vetë kreu i qeverisë, janë ulur në të njëjtën radhë. Shumë pranë tyre u panë edhe figura të rëndësishme të politikës në vend, siç është kreu i Parlamentit, Ilir Meta, apo dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe kabineti qeveritar dhe deputetë të Parlamentit. Në meshën e djeshme u panë më pranë politikanëve edhe trupa diplomatikë të akredituar në vend. Ndonëse ishin të pakta urimet e politikanëve në rrjetet sociale, në një reagim të tij në “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar besimtarët ortodoksë në të gjithë botën. “Le të shprehim urimin më të përzemërt për vëllezërit tanë të besimit ortodoks dhe mirënjohjen tonë të thellë për udhëheqësit e këtij besimi dhe të gjithë ata që ndihmuan në ngritjen e këtij tempulli”, shkruan ish-kreu i qeverisë.


Kompleksi


Kompleksi i kishës së re katedrale, “Ngjallja e Krishtit”, në qendër të Tiranës së bashku me kishëzën “Lindja e Krishtit”, kambanoren dhe Qendrën Sinodike, është simboli i rindërtimit nga themelet në të gjitha fushat të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nga viti 1991 deri sot. Në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër katedrale të Tiranës, ky kompleks përbëhet nga këto korpuse: Kisha Katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore. Koncepti arkitekturor i Kishës Katedrale mbështetet në ciklin që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me diametër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmëcilindrike. Kryqi i kupolës, katër mbulesat gjysmëcilindrike të masave mbështetëse dhe tri absidat e Hierores janë të veshura me fletë bakri ngjyrë floriri. Me këtë vepër, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë synon të kontribuojë në plotësimin esencial të nevojave fetare të besimtarëve, në kultivimin shpirtëror të të rinjve, në rimëkëmbjen e jetës kulturore dhe sociale të Tiranës dhe, më gjerë, të të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu, ajo ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkulturore ndërmjet grupeve sociale dhe në plotësimin e nevojave strehimore të Sinodit të Shenjtë dhe të Kryepeshkopatës së Tiranës.