Një argjendari ka rënë pre e grabitëseve ditën e sotme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Selvisë, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armëve kanë arritur të grabisin një sasi floriri nga argjendaria, e cila sipas njoftimeve paraprake të policisë, është në pronësi të vajzës së Rrapo Sinanajt, argjendari që u vra nga Viktor Gushi një vit më parë, në tentativë për t’i grabitur dyqanin e argjendarisë.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe u vu në ndjekje të dy personave që sipas përshkrimit të dëshmitarëve udhëtonin me një motor të cilin nga shpejtësia për t’u larguar e kanë përplasur dhe e kanë braktisur dhe po ashtu kanë hedhur edhe një pjesë të bizhuterive të grabitura në argjendari. Rreth një orë pas ngjarjes policia arriti të kapë dhe të vërë në pranga autorët, në një rrugë dytësore në periferi të kryeqytetit
Nuk dihet ende sasia e floririt të vjedhur në argjendarinë në fjalë, ndërkohë që pritet një konferencë për shtyp e policisë së Tiranës për të dhënë detaje lidhur me ngjarjen
31 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)