Ngjarja e rëndë tek ‘Fusha e Aviacionit’, agresorët tentuan t’i vidhnin, pas ngjarjes largohen me motor
Një 37-vjeçare ka mbetur e vdekur dhe motra e saj është plagosur, teksa janë sulmuar nga dy persona me motor të cilët kishin për qëllim t’i grabisnin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e ‘Fushës së Aviacionit’. Mësohet se dy gratë ishin duke ecur në rrugë kur dy djem me motor, të cilët mendohet të jenë adoleshentë u janë afruar dhe kanë tentuar t’u vjedhin çantat dhe bizhuteritë.
Kundërshtimi u ka kushtuar shtrenjtë, pasi si pasojë, 37-vjeçarja e identifikuar si Fatbardha Tafa ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe ka mbërritur e pajetë në Spitalin Ushtarak, ndërsa për fat të mirë motra e saj, Lumturie Gjana ka marrë plagë më të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, dy gratë kanë qenë të shoqëruar edhe nga edhe fëmijët e tyre të mitur, të cilët janë bërë dëshmitarë të skenës së rëndë.
Grabitësit, të cilët kanë qenë të maskuar me kapele dhe skafandër, janë larguar menjëherë përmes një rruge dytësore për nga zona e Unazës së Re.
Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur krimin, ndërkohë që janë ngritur postblloqe të shumta në hyrjet dhe daljet e qytetit për të bërë të mundur arrestimin e agresorëve.
7 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)