Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ndërkohë që një tjetër është plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00 tek zona e njohur si ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re, ku është vrarë me armë zjarri, tip pistoletë 32 vjeçari Igli Aliu, ndërsa ka mbetur i plagosur shoku i tij, Sokol Andrea, 42 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në spitalin ushtarak dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Dy të rinjtë udhëtonin me një makinë tip ‘Mazda’ kur janë qëlluar me armë zjarri brenda automjetit. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, mësohet se ka identifikuar autorin e krimit, i cili është një person me inicialet A.N, dhe është vënë në ndjekje të tij.
Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë, e cila ndodhi në një zonë të populluar dhe në sytë e kalimtarëve të shumtë, ndërkohë që blutë e Tiranës kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit.
1 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)