Ligjërimi
Dokumenti do të botohet në Fletoren Zyrtare më të afërt
Nisma – PDIU do të kërkojë në një moment të përshtatshëm krijimin e një komisioni hetimor për të sqaruar e zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar.
Parlamenti i Republikës së Shqipërisë do të ketë së shpejti një rezolutë të miratuar për çështjen çame. Hapja e dritës jeshile për një zhvillim të tillë erdhi mbrëmjen e djeshme, kur Kuvendi i Shqipërisë doli në konkluzionin se pas hetimeve të procesverbaleve, rezoluta “Për çështjen çame” e votuar në 8 prill të vitit 2004 konsiderohet e miratuar. Tashmë kjo rezolutë do të hyjë në fuqi zyrtarisht nga Parlamenti me botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet iniciatorja e nismës për të miratuar një rezolutë çame në Kuvend, deklaroi dje se teksti i rezolutës së nëntë viteve më parë ka shumë ngjashmëri me tekstin e propozuar nga PDIU-ja, ku përmbushen elementet kyçe të kërkuar nga kjo parti, siç është heqja e ligjit të luftës dhe kthimi i të drejtave dhe lirive njerëzore për shtetasit shqiptarë në përgjithësi dhe çamët në veçanti. “E certifikuar dhe riaktivizuar sot, kjo rezolutë shënon ripohimin e vullnetit të Parlamentit për çështjen çame si një çështje që ekziston dhe që duhet zgjidhur medoemos. Tani qeveritë e ardhshme kanë për detyrë që t’i përmbahen vullnetit sovran të Parlamentit dhe nuk mund ta injorojnë më këtë çështje të rëndësishme kombëtare”, theksoi PDIU në lidhje me zhvillimin e ri të ndodhur vetëm mbrëmjen e djeshme. Sipas PDIU, kjo përgjigje e ardhur nga Kuvendi ka rëndësi jo thjesht juridike, por dhe politike. Në deklaratën e saj, PDIU e vlerëson këtë vendim si një vendim historik që detyron shtetin shqiptar të trajtojë çështjen çame në axhendën zyrtare. “Nxjerrja nga pluhurat e harresës së atij teksti rezolute për të cilën shoqata “Çamëria” bëri shumë përpjekje duke u përleshur me policinë ka kështu një rëndësi simbolike. Presioni dhe këmbëngulja e palëkundur e PDIU-së çoi në shkundjen e Parlamentit shqiptar dhe në demaskimin e një përpjekjeje për të shtrembëruar dhe fshehur miratimin e rezolutës çame në 2004, akt ky që përbën një shkelje të rëndë dhe të paprecedentë”, theksohet në njoftim. Por kjo parti thekson se futja në fuqi e kësaj rezolute është vetëm beteja e parë e fituar për zgjidhjen e çështjes çame dhe se lufta e saj për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje do të vazhdojë. “Rezoluta nuk është qëllim në vetvete: ajo është mjeti për të arritur te qëllimi: zgjidhja e plotë e çështjes çame, restaurimi i gjithë të drejtave të komunitetit martir çam dhe vënia në vend e dinjitetit kombëtar shqiptar. Konfirmimi i miratimit të kësaj rezolute përbën një hap të madh e të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi të madh e fisnik”, premton PDIU në deklaratë.
F.Mejdini
Rezoluta që pritet të hyjë në fuqi:
Pikat kryesore
– Vlerëson se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dyja palët, në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë, të nënshkruar dhe të ratifikuar nga të dyja vendet;
– I kërkon qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare;
– Çmon se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe juridik midis qeverive të dy vendeve për çështjen e sekuestros konservative të vendosur si rrjedhojë e ligjit të luftës të vitit 1940 mbi pasuritë e popullsisë çame, si dhe ngrirjen e ligjit nr. 2664 të 3 dhjetorit 1998, do të përbënin një kontribut shumë të rëndësishëm për kapërcimin e problemeve të krijuara prej tyre;