Kuvendi voton me konsensus datën e legjislaturave. Kundër Strazimiri i PD-së, abstenojnë Gjiknuri dhe Isaraj


Seanca e djeshme kuvendore nisi me kërkesën e deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish të përndjekurit Lirak Bejko, grevistit që humbi jetën gjatë vetëdjegies. “Zonja kryetare! Përtej çdo emocioni politik do të doja t’ju bëja një propozim fare të sinqertë, për të cilin jam mjaft i sigurt që do të pranoni, si edhe kolegët e mazhorancës. Një propozim sa njerëzor, aq edhe qytetar. Do të ftoja Kuvendin të mbajë një minutë heshtje për Lirak Bejkon që humbi jetën për një të drejtë që fundja ia kemi borxh gjatë këtyre 20 vjetëve pluralizëm politik”, tha Tahiri. Ndërsa Topalli e kundërshtoi, duke bërë edhe ironi me këtë propozim të deputetit të PS-së. “Borxhin është e vërtetë që ia ka partia juaj, Partia Komuniste. Për të gjitha vitet e borxhit mbani një minutë heshtje, mbani një minutë falje. E mira është që të thoni të mirat siç janë. Fakti që i fusni në burg e pasi i çoni edhe benzinë, i përdorni. Unë shpreh ngushëllimet familjes së tyre, por ju jeni hipokritë në turp”, tha Topalli. Për të nderuar Bejkon janë ngritur vetëm socialistët, ndërsa mazhoranca nuk ka preferuar të ndërmarrë një veprim të tillë. Ndërkohë, për rreth një orë, dhjetëra ish të përndjekur politikë kanë protestuar para selisë së Parlamentit. Ashtu siç kanë bërë për javë me radhë, ish të përndjekurit kanë kërkuar nga qeveria të zbatojë ligjin për dëmshpërblimin dhe t’u paguajë këstet që ju takojnë. Kuvendi miratoi dje projektvendimin “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”. Projektvendimi, nismë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, parashikon numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë duke filluar nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920. Nëpërmjet këtij vendimi, përshihen në numërtim edhe legjislaturat para vitit 1946, të cilat regjimi komunist i kishte fshirë nga memoria historike. Sipas këtij numërtimi, legjislatura aktuale është e shtata. Seanca votoi me 109 vota pro, një kundër dhe dy abstenim një vendim të tillë. Kundër ishte deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, ndërsa dy deputetët socialistë, Damian Gjiknuri dhe Arben Isaraj, abstenuan.


Ndërsa të gjitha ligjet e tjera, në forma konventash, pavarësisht debateve, u miratuan me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. B.HOTI