Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar ditë e sotme një takim me kryetarin e Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft, të cilit i shprehu mirënjohje për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë integrimit të Shqipërisë.


Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun danez, kryeparlamentarja Topalli i bëri apel opozitës të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të kandidatit.


Sipas kryetares Topalli, 3 ligjet e kërkuara nga KE-ja që do të bëjnë të mundur integrimin e vendit presin vetëm votën e opozitës në Parlament për t’u miratuar.


“Sigurisht që rekomandimi ishte një gur kilometrik themelor në rrugën tonë drejt BE-së, por pas kësaj natyrisht vijnë etapa të tjera ku kërkohet mbështetja e vendeve anëtare. Natyrisht pasi ne, Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti të votojë tre kushtet që Brukseli ka vendosur dhe për të cilën ne presim votën e opozitës. Ne e shohim me optimizëm të ardhmen”, u shpreh Topalli.


Kryetari i Parlamentit të Danimarkës Mogens Lykketoft po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit.


28 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)