Për herë të parë në Shqipëri, Asambleja Parlamentare e OSBE-së mbërrin për të zhvilluar sesionin e saj të vjeshtës 2012, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Kryetares Jozefina Topalli, për ta organizuar këtë sesion në datat 5-7 tetor 2012, në Tiranë. Mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së do të marrin pjesë në takime të nivelit të lartë që përfshijnë një konferencë parlamentare me temë: “OSBE, promotor i mirëqeverisjes dhe integrimit si bazë për stabilitetin dhe sigurinë”. Konferenca, e ndarë në tri sesione, do të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me promovimin dhe mbrojtjen e shoqërive multietnike dhe multikulturore në vendet anëtare të OSBE-së, me krizën ekonomike dhe financiare, si dhe me rolin e medias në promovimin e mirëqeverisjes. Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e Këshillit të Europës, si dhe përgatitet të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë. Sesioni i hapjes do të mbahet më 5 tetor 2012, ora 09:00, në mjediset e hotel “Sheraton” dhe do të përshëndetet nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Riccardo Migliori, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe sekretari i përgjithshëm i AP të OSBE-së, Lamberto Zannier.