Debatet


KQZ-ja e re bën betimin në Parlament. Kryeparlamentarja, batuta për përkrenaren e heroit


Kuvendi miratoi me 121 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim draftin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për bashkëpunim në lidhje me huadhënien e objekteve, që i përkasin trashëgimisë së luajtshme kulturore të shtetit, për ekspozim në territorin e shtetit tjetër”. Nëpërmjet këtij projektligji mundësohet ardhja në Shqipëri e shpatës dhe përkrenares së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë këtij votimi nuk ka munguar as batuta e kryeparlamentares Jozefina Topalli në adresë të opozitës. “Në mesazh më shkruajnë se mos ndoshta ka ndonjë dëshirë ndonjëri prej liderëve të përdorë përkrenaren e Skënderbeut. Shpatën e kemi ne, ju keni përkrenaren, por edhe atë në fakt”, iu drejtua Topalli me humor, opozitës. Socialistët më pas kanë reaguar me ironi ndaj kryeparlamentares, duke iu drejtuar me batutën se “ku e ke shpatën ti”. “Po Skënderbeu na takon neve more, jo ju, në krye të 500 vjetësh lindin burrat të tillë”, reagoi Topalli. Para Parlamentit u betuan dhe 7 anëtarët e rinj të KQZ-së. Pas leximit së formulës së betimit sipas Kodit Zgjedhor nga Kryetarja e Kuvendit, Lefterie Lleshi u betua si kryetarja e re e KQZ-së dhe Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni, Albana Shtylla, Denar Biba, Ilirjan Muho dhe Jano Jani u betuan si anëtarët e rinj të këtij institucioni. Në seancë është debatuar edhe për draftin e buxhetit faktit të vitit 2011. “Situata e gjobave nga administrata fiskale është alarmante. Flitet që iu ka dalë jashtë kontrollit drejtori i Tatimeve, madje nuk iu vjen më as në zyrë. Cili është rezultati zoti ministër? Është shkatërruar komplet struktura e administratës fiskale dhe është bërë një administratë policore”, tha deputeti socialist, Arben Ahmetaj. Ndërsa deputeti tjetër Arben Malaj tha se në kushtet e krizës, fushata e gjobave po rrezikon të fundosë shumë biznese. “Periudhat e krizave nuk janë momentet të duhura për të ushtruar politika dhe aksione gjobash, por reduktimet dhe shtrirja në kohë e detyrimeve mund ta ndihmojë biznesin”, u shpreh Malaj. Shqetësime për rritje të arbitraritetit nga administrata tatimore janë ngritur më parë edhe nga disa shoqata biznesi. Ndërkaq ministri i Financave Ridvan Bode nuk replikoi ndaj akuzave, por u ndal vetëm tek realizimi i treguesve të buxhetit për vitin e kaluar, që sipas tij, përmbushi të gjitha objektivat ligjorë të vendosur nga Kuvendi. Ky draft u votua me 69 vota pro dhe 53 kundër.