Nuk arrihet sërish konsensusi për miratimin e 3 ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, që vlerësohen si kusht për integrimin e vendit në BE. Projektligji për Gjykatën e Lartë, për Nëpunësin Civil dhe Rregullorja e Parlamentit, kanë mbetur ‘pezull’, pasi opozita u largua nga salla e Kuvendit në momentin e votimit.
Teksa pritej që në Kuvend të miratoheshin tre ligjet e integrimit, kryeministri Sali Berisha i kërkoi kreut të LSI-së, Ilir Meta që të mos i shndërrojë ligjet në pazar për listat e zeza në kurriz të mbështetësve të tij. Më pas ai deklaroi se pa mbaruar pazaret me njëri-tjetrin, opozita nuk do t’i votojë tre ligjet, duke shtuar se “opozita u largua nga salla e Kuvendit, për të marrë me vete një përgjegjësi të madhe”.
“Deri në ditën e aleancës së tij, Pandeli i ke bërë cilësimin më gjenial në 1 prill. Deri në ditën e 1 prillit ftonte zotin Rama të votonte ligjet, sot fton zotin Berisha, pavarësisht se ky grup parlamentar kishte zotuar ti votonte. Ne i kërkuam të mos i shndërronte ligjet në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij. I kërkoj Ilir Metës në mënyrë të prerë, që të mos e shndërrojë votimin e tre ligjeve në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij. Të vijë këtu, se kjo botë nuk mund të konceptohet thjesht si pazar. Tani është bërë lista e zezë, se cilët pranohen dhe cilët nuk pranohen nga LSI. Ndaj dhe sot u shty votimi i tre ligjeve. Përgjegjësia e tmerrshme bie mbi atë (Ramën) që mori peng statusin e vendit kandidat; mbi atë që u privoi shqiptarëve qindra miliona euro investime dhe donacione private të vendeve anëtare të BE-së. Unë, me padurim, prita sot t’i votonim, por prapë vazhdojmë t’i kemi çështje pazaresh”, theksoi Berisha. Ai ka paralajmëruar se ligjet nëse nuk do të votohen do të kalojnë me referendum.
“Shqiptarët prisnin të votimin 3 ligjet, por pazaret nuk kanë përfunduar dhe kjo është një halë tjetër që u ngeli në fyt, kështu do të vijojë deri më 23 qershor, kur të marrin përgjigjen përfundimtare. I ftoj të vijnë në ditën e parë që kanë përfunduar pazarin. Pavarësisht se statusi u shty të shmangin referendumin që kushton shumë. Shpresoj se pala tjetër të kthehet në karriget e veta sipas premtimeve publike që nuk kanë mbajtur dhe nuk i mbajtën”, bëri apel Berisha. Berisha i kërkoi kryetares së Kuvendit që këto tre ligje të vazhdojnë të qëndrojnë në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit, për t’u votuar në çdo kohë.
Topalli thirrje Ramës: Lejo deputetët të votojnë tre ligjetKryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka kërkuar sërish nga opozita dhe kreu i saj Edi Rama të votojnë tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian për ecjen përpara në rrugën e integrimit. Në një deklaratë për mediat, jashtë ambienteve të sallës së Kuvendit, Topalli i ka bërë thirrje kryesocialistit Rama të lejojë deputetë socialistë të votojnë tre ligjet.
“Shqiptarët presin votimin e tre ligjeve. Bashkimi Europian pret miratimin e tre ligjeve. Bllokimi i tyre pengon integrimin e vendit, ndaj i bëj thirrje Ramës të lejojë që deputetët ti votojnë tre ligjet”, ka thënë Topalli.
Ndërkohë ajo ka deklaruar se tre ligjet do të kalojnë në votim ashtu siç janë në rend të ditës, duke i’u përgjigjur negativisht propozimit të LSI-së që miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative të shoqërohet me garancinë që ky projektligj të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti, sapo të konstituohet kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
6 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)