Partia Fryma e Re Demokratike ka prezantuar paraditen e sotme 19 departamentet drejtuese
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, ndërsa ka prezantuar paraditen e sotme 19 departamentet drejtuese të partisë së tij, të cilat përbëhen nga personazhe të shkencës, botës akademike dhe publike, ka theksuar se forca e re politike, e themeluar nga demokratët e vërtetë, do të sjellë një politike të re dhe evropiane në vend. Topi nuk ka kursyer kritikat ndaj ish partisë së tij, të cilën e ka cilësuar si një organizatë fitimprurëse për kryetarin e saj
“Partia në pushtet është kthyer në një kompani ekonomike që i shërben kryetarit të saj dhe klanit të tij. Ne që sot jemi në FRD jemi krenarë që nuk jemi dhe nuk kemi qenë pjesë e tranzicionit, pazareve, korrupsionit, etj. Përkundrazi, ne krenohemi se aty ku ishim, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, bëmë gjithçka për respektimin e institucioneve, për të shmangur zaptimin e shtetit nga një njeri i vetëm dhe për një politikë evropiane”, deklaroi Topi.
Gjithashtu, ish-presidenti ka theksuar se partia e tij nuk do të bëjë koalicion me asnjë nga partitë e vjetar PD e PS, të cilat sipas tij, janë njësoj fajtore për keqqeverisjen e vendit.
“FRD-ja nuk do të jetë aleancë me asnjë parti të vjetër, pasi i konsideron ato si dy anët e një molle të kalbur dhe fajtore për keqqeverisjen e vendit. Ne jemi në aleancë besnike me qytetarët, me ata që besojnë që ky vend mund dhe duhet të bëhet, se Europa nuk arrihet duke emigruar, por duke e bërë vendin tënd të denjë për të qenë pjesë e saj”, – tha Topi.
Ndër të tjera, ai vlerësoi maksimalisht vizitën e një dite më parë të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila sipas tij i dha një mesazh të qartë klasës politike shqiptare.
“Shpreh vlerësimin tim më të lartë për vizitën historike të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, që me mesazhet domethënëse i dha një sinjal të qartë politikës shqiptare, se e ardhmja realizohet vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për qëllime të mëdha”, theksoi Topi.
2 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)