Fryma e Re Demokratike çeli fushatën elektorale në Durrës. Kreu i kësaj partie, Bamir Topi u shpreh se FRD shkon në zgjedhjet e 23 qershorit për të garantuar së paku 2 mandate vetëm në këtë qark.
“Qarku i Durrësit do të shkojë në zgjedhje e 23 qershorit për të garantuar së paku 2 deputetë për Kuvendin e Shqipërisë. Ky muaj është muaji i një pune intensive, muaji i kontaktit me çdo qytetarë kudo, ku jetojnë banorët e Durrësit.”- tha Topi.
Ish- presidenti i së djathtës në vend ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të partisë së tij me të majtën. Topi tha se, FRD është formacioni i vërtetë i së djathtës, është shtëpia e vërtetë e demokratëve shqiptarë, ndaj dhe në mënyrë të vendosur FRD nuk mund të bënte koalicion me partitë e majta.
“Me misionin e saj në parlament FRD nuk do të ndajë fjalët nga veprat. Do të kthejë në parlament komunikimin, etikën dhe vendosjen e interesave qytetare mbi interesat meskine të këtyre politikanëve”- përfundoi ai.
Lista e kandidatëve të FRD-së për Durrësin kryesohet nga Gazmend Oketa dhe Sami Gjergji.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)