Kreu i shtetit ndodhet në SHBA, ku ka mbajtur një fjalim në Debatin e Nivelit të Lartë me temë: “Gjendja e Ekonomisë Botërore”


Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në punimet e Debatit të Nivelit të Lartë me temë: “Gjendja e Ekonomisë Botërore”, të mbajtur në Nju-Jork. Në prani të kryetarëve të shteteve dhe delegacioneve të tyre, si dhe të personaliteteve të larta të politikës dhe ekonomisë botërore, Presidenti Topi e hapi fjalimin e tij duke vënë në dukje se: “Republika e Shqipërisë, me ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike që ka pësuar këto 20 vitet e fundit në rrugën e saj drejt demokracisë dhe proceseve të integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë reformave ekonomike dhe atyre legjislative, për t’u përfshirë me sukses në ekonominë e tregut”.


“Është një realitet që sot Shqipëria është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por ajo ka përmirësuar ekonominë e saj në raport me vendet e tjera të rajonit”, – theksoi Presidenti Topi duke vazhduar më tej se: “Kjo situatë ndryshimesh pozitive ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të integrohen në Europën e Bashkuar. Dëshiroj me këtë rast, të përshëndes shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike, duke ndikuar direkt në paqen e sigurinë e rajonit”.


Më pas kreu i shtetit  ka folur mbi gjendjen ekonomike të krijuar nga kriza financiare, “e cila vërtetoi se asnjë vend nuk ishte i imunizuar prej ndikimit të saj”, vuri në dukje se: “kombinimi i çmimeve të larta të naftës dhe mallrave, trazirat, tërmetet dhe cunamet, krizat e borxhit dhe problemet fiskale kanë çuar në rritjen masive të riskut të kundërt. Nga pikëpamja ekonomike, vende me peshë të madhe në ekonominë botërore nuk janë në ritmet e tyre karakteristike”. Duke vijuar më tej Topi nënvizoi se “një gjendje e tillë ka bërë që politikanët, menaxherët dhe ekspertët të mos jenë aq të sigurt nga sa ishin më parë për arsye se pasojat e krizës financiare dhe ekonomike kanë ekspozuar haptazi dobësinë e zbatimit të teorive dhe politikave ekonomike”.


Duke u ndalur tek globalizimi dhe efektet e botës së globalizuar, “ku prodhimi nuk ka kufi, ku tregtia dhe transaksionet financiare drejtohen nga qëllimi i sigurimit të fitimit dhe nga marrja përsipër e rreziqeve, Presidenti Topi nxori në pah të dhënat e dhjetëvjeçarëve të fundit, gjatë të cilave “liberalizimi i tregtisë ka sjellë heqjen në një masë të madhe të barrierave për lëvizjen e kapitaleve dhe të shërbimeve, por çdo lloj përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim, sikundër po shihet, po arrihet me më vështirësi, pasi pjesa më e madhe e ekonomive ekspozohet gjithnjë e më shumë nën presionin e konkurrencës ndërkombëtare”.

“Zhvillimi i globalizimit të tregjeve të kapitaleve, – nënvizoi kreu i shtetit, – uli koston e financimeve dhe rriti në të gjithë botën gjendjen e kapitalit real, gjë që përbën motorin lëvizës të produktivitetit”, duke theksuar më tej se “gabimet e pashmangshme dhe periudhat e euforisë të pjesëmarrësve në tregjet botërore, si dhe keqfunksionimet që lindin nga ato, shkaktuan disbalancimin ekonomik që pasqyrohet në efektet e krizës aktuale.


Në paraqitjen e pikëpamjeve mbi gjendjen e ekonomisë sot nëpër botë, Presidenti Topi shprehu mendimin se “rregullat që miratohen gjatë zhvillimit të një krize, duhet të përpunohen më tej në mënyrë të hollësishme, sepse çdo rregull ka afatin e vet të skadencës; rregullat e reja duhet të përfshijnë më shumë rregullatorë, që të shmanget refuzimi i një rregullatori të vetëm për të marrë përsipër përgjegjësinë e rreziqeve dhe përpjekjet për të siguruar garanci për secilin variant të mundshëm të rezultatit negativ, duke rritur kostot e mbikëqyrjes”.


 


17 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)