I plotë


Mesazhi i fundit i Presidentit: Shqiptarët meritojnë më shumë


Bamir Topi


Gjatë pesë viteve të fundit kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë të shërbej si President i Republikës. Në ushtrimin e kësaj detyre jam përpjekur me të gjitha forcat dhe energjitë për të mbajtur premtimin e dhënë në betimin tim, për të qenë Presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe për të vepruar me ndershmëri dhe mbi vlera qytetare. Gjatë mandatit tim jam ndeshur me pritshmëri më të mëdha nga publiku, me kërkesa të shumëllojshme dhe shpesh kundërshtuese, me kritika të drejta e të padrejta, me fushata denigruese apo etiketime të njëanshme. Me ndërgjegje zgjodha të lë mënjanë modelet e konfliktit formal dhe të dëgjoj e trajtoj me të gjithë seriozitetin e duhur të gjitha mendimet, kërkesat dhe kritikat racionale, duke ofruar zgjidhje kushtetuese për gjithçka që përbën interes qytetar, publik e shtetëror. Kam bindjen e thellë se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë nëse politika vendimmarrëse do ta përdorte pushtetin e saj të madh në mënyrë konstruktive dhe institucionale, nëse interesat e saj do të gjenin më shumë përputhje me interesat tuaja qytetare dhe nëse klasa jonë politike do të dëshmonte më shumë maturi, përgjegjësi dhe aftësi për të sjellë ndryshimet e premtuara. Shqipëria e vitit 2012 meritonte shumë më tepër progres dhe vlera europiane, dhe kam bindjen se me këtë përcaktim gjej mbështetjen e shumicës absolute të qytetarëve të këtij vendi. Në përfundim të mandatit kushtetues të Kryetarit të Shtetit më lejoni t’u them se ndihem krenar që pata fatin t’u përfaqësoj; që në emrin tuaj përfaqësova Shqipërinë në ngjarjen historike të anëtarësimit në NATO; që Presidenca ime ishte dhe mbetet një presidencë me sjellje qytetare, tolerante dhe gjithëpërfshirëse; një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte por u zgjidhën konflikte, nga i cili nuk pati politikë partiake, por sjellje e vendime institucionale, nga i cili asnjë qytetar nuk u ndie i fyer, i përjashtuar apo i harruar, por gjithsecili gjeti një derë të hapur për shqetësimet, mendimet dhe nevojën e madhe të bashkëpunimit në të mirë të interesave publike e kombëtare; që me gjithë problemet e trashëguara të tranzicionit, pesë vitet e mia presidenciale u dhanë më shumë jetë, pavarësi e forcë veprimi institucioneve kushtetuese dhe grupeve të shoqërisë civile, medias së pavarur dhe logjikës institucionale të trajtimit të problemeve; që zyra e Kryetarit të Shtetit ishte dhe mbetet një partnere e fortë, aktive, e mbështetur, e referuar dhe e besuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Europian, shteteve mike dhe çdo institucioni ndërkombëtar të interesuar apo të investuar në përparimin e demokracisë shqiptare; që në këto vite isha aktor modest dhe dëshmitar aktiv në përgatitjen, jetësimin dhe lobimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe europian të Kosovës, si dhe të forcimit të pozitës kushtetuese dhe politike të shqiptarëve kudo ata ndodhen. Gjej rastin të falënderoj në veçanti familjen time që më ka qëndruar pranë, si dhe publikisht të falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin shumëvjeçar stafin tim politik presidencial, politikanët e arsyeshëm, të gjithë trupat drejtuese e përbërëse të institucioneve kushtetuese, miqtë e shumtë në organizatat e shoqërisë civile, kolegët e botës akademike, gazetarët dhe median, intelektualët e shumtë, Forcat e Armatosura, partnerët tanë ndërkombëtarë, shtetarët dhe diplomatët miq të Shqipërisë! Nderimi e mirënjohja e thellë u shkon të gjithë qytetarëve shqiptarë që pata fatin të takoj në çdo bashki e komunë të Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në grupet e shumta të diasporës në vende të ndryshme të botës. Ndjenja e përfaqësimit të tyre përbën krenarinë më të madhe jetësore dhe përgjegjësinë më të madhe të çdo politikani e zyrtari shtetëror.


Vëllezër e motra!


Shqipëria e ka zgjedhur tashmë Presidentin e ri. Unë e uroj publikisht Presidentin për sukses e mbarësi dhe ftoj të gjithë qytetarët, aktorët politikë dhe institucionet të jenë në mbështetje të vullnetit për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese! Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, për politika të urta, të mira dhe qytetare dhe, në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale.


I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues. Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë. Postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!


 


Ndryshimi


“I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit”


Bilanci


“Presidenca ime ishte dhe mbetet një presidencë me sjellje qytetare, tolerante dhe gjithëpërfshirëse; një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte, por u zgjidhën konflikte”


 


 


Reportazh dhe intervistë


Orët e fundit në zyrën e kreut të shtetit


Muhamed Veliu “Top Channel”


Për plot pesë vjet në detyrë si President i Republikës, Bamir Topi ka ndjekur një ritual të përditshëm. Daljen nga shtëpia në orën 8:45, me një eskortë pa sirena dhe bllokim rrugësh drejt Presidencës. Por, cila është dita e fundit në detyrë e Bamir Topit si President? “Top Channel” ka ndjekur nga afër, orët e fundit të Presidentit të pestë pas rënies së komunizmit. Paçka se është dita e fundit në Presidencë, gjithçka rrjedh normalisht si një ditë e zakontë pune. Presidenti në detyrë, menjëherë pasi është akomoduar në zyrë, e nis punën me një konsultim të shpejtë mbi aktivitetet e ditës dhe mbarëvajtjen e tyre. Gjithçka është gati për ceremoninë e dekorimit pas vdekjes së publicistit Ardian Klosi, vijohet me dekorimin e diplomatit Shaban Murati, për t’u bërë gati më pas me një ceremoni të veçantë. Atë të dekorimit të figurave të shquara ndër vite, që kanë lënë gjurmë në skuadrën e futbollit të Tiranës, e njohur edhe si skuadra e zemrës për Presidentin Topi. Skuadra e Tiranës është vlerësuar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për të cilën Presidenti u shpreh se kjo skuadër nuk ka vetëm histori, por edhe është simboli disidencës shqiptare. Në zyrë, stafi teknik është gati për regjistruar një mesazh që Presidenti kërkon të adresojë tek qytetarët shqiptarë. Së bashku me Mimoza Koçiun, zëdhënësen e Presidentit, kryejnë konsultimet e rastit për atë që është edhe intervista e fundit e Presidentit, duke folur për çdo detaj të saj. Ndërkohë, presidenti ndodhet në zyrë, përballë tavolinës mbi të cilën qëndrojnë një mori me shkresa, që marrin firmën nga kreu i shtetit.


Cilat janë ndjesitë që ka Bamir Topi në ditën e fundit të mandatit si President i Republikës?


Natyrisht, çdo ditë e Presidentit është një ditë e ngarkuar. Mund t’ju them që edhe kjo ditë është më se e ngarkuar. E konsideroj si një ditë të zakonshme të një nëpunësi të shtetit, sepse në çdo pozicion që të jetë njeriu, patjetër që ka një fillim dhe një mbarim. Kështu që duhet parë si pjesë e normalitetit të administratës së shtetit. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë për hir të së vërtetës.


Pavarësisht se vlerësimet për punën tuaj i takojnë të tjerëve do të doja t’ju pyes se me çfarë bilanci (nëse më lejoni të përdor këtë fjalë) e mbyllni detyrën si kreu i shtetit?


Ju e thatë mirë, që janë të tjerët, natyrisht mendjet e arsyeshme, politikanët e arsyeshëm, sepse gjatë periudhës sime presidenciale kam hasur, sikurse has njeriu në jetë, me politikanë të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm. Me njerëz që vërtet kanë pasur një komunikim qytetar, por edhe me të tjerë që kanë shfaqur një fizionomi jo qytetare. Unë e shikoj këtë pesëvjeçar me një bilanc shumë pozitiv. Bilanc që nuk i shkon një emri, por i shkon shtetit shqiptar. Kështu, unë ndjehem krenar për këtë.


Tashmë, të gjithë e dimë se Presidenca nuk është stacioni i fundit në karrierën politike të Bamir Topit. Cilat janë planet tuaja?


Unë jam shprehur herë pas here në vijim të interesit të gazetarëve. Kam thënë, mesa duket, se unë do të vazhdoj në politikë dhe le të mbesim këtu, sepse në të njëjtën kohë kam dhënë edhe një premtim publik. Deri në sekondën e fundit që unë do të jem në institucionin e presidentit, nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj prononcimi të karakterit politik partiak.


A ju vjen keq që Protokolli i Shtetit, gjatë dorëzimit të detyrës, nuk e ka planifikuar dhënien e mundësisë të një fjalimi lamtumire, siç ndodhi me paraardhësin tuaj, Presidentin Alfred Moisiu?


Jam njeri pa komplekse, do të thotë se gjërat i kanë në dorë të tjerët dhe Protokollin e Shtetit e ka Këshilli Ministrave. Ata kanë vendosur ta bëjnë në këtë mënyrë dhe unë gjithmonë i përgjigjem rregullit dhe natyrisht do ta respektoj në këtë mënyrë, sepse respektoj zyrën e kreut të shtetit. Atë zyrë që kam respektuar gjithmonë para se të vij këtu. E kam respektuar gjatë pesë viteve dhe natyrisht do ta respektoj sa kohë të jem gjallë, në respekt të shtetit.


 


Kreu i ri i shtetit


Sot, betimi i Nishanit dhe ceremonia në Presidencë


Sot në mbrëmje, Bujar Nishani bën betimin dhe merr zyrtarisht postin e kreut të shtetit, ndërsa Bamir Topi e lë atë. Sipas axhendës së miratuar, në orën 18:30, në Parlament zhvillohet ceremonia e betimit të kreut të zgjedhur të shtetit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të vendosë në mbledhjen e sotme në lidhje me qëndrimin që do të mbajë në këtë seancë. Ndërkaq, në orën 19:30, fillon ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit Nishani dhe lamtumira e Bamir Topit, e cila do të zhvillohet në selinë e Presidencës, ku janë shtruar tapete të kuq, është ngritur dhe një tribunë e rastit. Garda do të parakalojë pranë Nishanit, i cili, në shoqërinë e paraardhësit Bamir Topi dhe të ftuarve nga të gjitha institucionet, partitë dhe trupi diplomatik do të nisë detyrën më të lartë të shtetit shqiptar.