Kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi ka sulmuar sërish krerët e dy partive të mëdha politike, të cilët nënshtrohen si zvarranikë ditën e zgjedhjeve dhe më pas shndërrohen në luan dhe shpërfillin qytetarët. Ish-presidenti Topi, ka qenë sot në qytetin e Beratit ku ka zyrtarizuar hapjen e degës më të re të FRD-së.
I shoqëruar nga Gazment Oketa dhe Edmond Dragoti, Bamir Topi ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me banorët e këtij qyteti. Në fillim të takimit është mbajtur një minutë heshtje, në nder të kujtimit të Lirak Bejkos, martirit të grevës së urisë të ish-të burgosurve politikë. Sipas kreut të FRD-së Bejko ishte i përndjekur si në kohën e komunizmit, ashtu dhe në atë të tranzicionit. Topi u ka shpjeguar qytetarëve të Beratit se ndonëse ka qenë pjesë e forcave politike më të mëdha në vend, ai dhe mbështetësit e tij u ndanë në momentin kur tek këto forca politike pushoi së funksionuari demokracia.
“Së bashku jetojmë në një mjedis social dhe jemi mësuar që kur kemi pakënaqësi qoftë për qeverinë apo opozitën, themi se përse e bëri këtë zgjedhje, unë i kam cilësuar ato forca jo për emrin, sepse dhe kemi qenë pjesë e atyre, jemi krenar për kontributin tonë, por parimet e tyre u prishën. Të dy forcat politike e them me keqardhje vijnë dhe e vlerësojnë qytetarin vetëm në fushata dhe shihni sesi nënshtrohen si zvarranik në ditët e zgjedhjes dhe pastaj marrin pozicionin e luanit duke i parë të tjetër me mos përfillje dhe ndryshuar mënyrën e komunikimit brenda 24 orësh”, deklaroi Topi.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)