Në kuadrin e takimeve inaguruese të degëve të FRD-së në të gjitha rrethet e vendit, kreu i kësaj force politike, Bamir Topi ishte sot në qytetin e Peshkopisë. Duke folur për aktualitetin politik, Topi theksoi se shteti dhe qytetarët kanë nevojë për energji të reja, për vizione të qarta për të ardhmen dhe për projekte konkrete zhvillimi.
Ai fajësoi direkt qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha për premtime të pambajtura dhe propagandë bosh në vend të përgjegjësive konkrete qeverisëse. Shembull për këtë solli premtimin e pambajtur të qeverisë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në 100 vjetorin e shtetit dhe premtoi se ky projekt me rëndësi të madhe për qytetarët dhe vendin do të realizohet brenda mandatit të parë qeverisës së FRD-së.
Më tej ai kritikoi mungesën e politikave të qeverisë dhe vëmendjes së saj ndaj qytetarëve të Dibrës dhe zonave të tjera përreth, duke iu referuar edhe gjendjes së mjerueshme të rrugës nacionale që lidh këto qytete e zona me pjesën tjetër të vendit. “Kurrë më parë kjo rrugë kombëtare nuk ka qenë në këtë gjendje dhe se ata që kanë përgjegjësinë për këtë duhet të ndërshkohen me votë popullore më 2013”, tha Topi. Kreu i FRD-së shprehu bindjen e tij se më 2013 Shqipëria do të dijë të bashkohet me modelet e atyre vendeve demokratike ku zhvillohen zgjedhje të lira dhe ka rotacion të partive dhe politikanëve. “Ata që sot qeverisin si sundimtarë përfaqësojnë modele politike të lindjes së hershme komuniste, të papranueshme për standardet e Shqipërisë evropiane dhe demokracisë funksionale”, tha ai.
24 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)