Kreu i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi deklaroi nga Përmeti se ka ardhur koha për rotacion politik, pasi ende pas 22 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit, rinia ëndërron për demokraci. Në takimin me simpatizantë të FRD-së në këtë qytet, Topi solli sërish në vëmendje monopolizimin që sipas tij, ka uzurpuar të gjitha pushtet.
Kreu i FRD akuzoi politikën aktuale shqiptare si fajtore të ngërçit në progres dhe mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. “Ne kemi ende fizionominë e një shteti monist. Të gjithë kemi kontribuar që Shqipëria të bëhet demokratike, por ama shohim se në krye kemi ende pasardhës të komunizmit, duke iu ngjasuar vendeve me udhëheqës të pariciklueshëm, njëlloj si Bjellorusia”- tha Topi.
Ndërkaq i pyetur në cilësinë e ish-kreut të shtetit, për vendimin e presidentit Nishani për datën e Çlirimit, Topi ka deklaruar se gjatë kohës që ishte në krye të presidencës ai i ka respektuar të dyja datat, duke nderuar dëshmorët në 28 dhe 29 nëntor. “Nuk kam shkelur ligjin për sa i përket datës së Çlirimit, pasi i kam vlerësuar dëshmorët dhe kam vizituar familjet e tyre në 28 dhe 29 Nëntor”, ka thënë Topi. 1 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)