Kreu i FRD-së 


Bamir-Topi-FRDKryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi dje paradite një takim me grupin e përfaqësuesve të OSBE/ODHIR të kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak. Biseda u përqendrua në ecurinë e procesit parazgjedhor. Pas takimit, kryetari i FRD-së deklaroi për mediat se gjatë shkëmbimit të mendimeve ka shprehur këndvështrimet e partisë që ai drejton, lidhur me situatën zgjedhore në vend. Ai ritheksoi krizën në KQZ duke e cilësuar moszgjidhjen e saj një prelud të keq për ecurinë zgjedhore, ndërsa shprehu shqetësim edhe për manipulimet e mundshme. Lidhur me këtë preokupim, Topi deklaroi se funksionimi i cunguar i KQZ-së vë në dyshim mbrojtjen e interesave të qytetarëve që nuk përfaqësohen në pushtet. Por gjithsesi, kryetari i FRD-së është i bindur se askush nuk mund të ndalë fluksin e qytetarëve në tendencën e tyre natyrale drejt një fitoreje të FRD-së. Duke përmendur 50 mijë njerëz të dubluar dhe 200 mijë të tjerë pa adresa, Topi e quajti të pakuptimtë vendimin e partive parlamentare për të miratuar të hënën tre ligjet ndërkohë që nuk e shfrytëzojnë këtë seancë plenare edhe për zgjidhjen e çështjes së KQZ-së. Në fund Topi u shprehu përfaqësueseve ndërkombëtarë që mbikëqyrin zgjedhjet vlerësimet për përgjegjësinë që ata kanë në procesin zgjedhor duke shprehur vullnetin për një bashkëpunim të ngushtë me ta.