Ish-presidenti Bamir Topi ka hedhur akuza ndaj dy partive të mëdha të skenës politike shqiptare, PD dhe PS. Deklaratat e kreut të partisë Fryma e Re Demokratik janë bërë gjatë përurimit të degës së partisë së tij në Lezhë,

Në një fjalim me simpatizantët e FRD-së, Topi ka akuzuar Partinë Demokratike dhe atë Socialiste se kanë monopolizuar votën e shqiptarëve.


“Partitë e vjetra kanë monopolizuar votën e shqiptarëve. Kryeministri Sali Berisha po e çon vendin drejt diktaturës. Berisha ka uzurpuar të gjitha institucionet, ndërsa opozita nuk bën opozitë”, – ka deklaruar Topi.


Më tej kreu i FRD-së, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka përsëritur qëndrimin se partia e tij nuk do të bëjë aleancë me asnjë nga partitë e mëdha.


“Fryma e Re Demokratike do të bëjë aleancë me qytetarët shqiptarë dhe jo me partitë e vjetra”, – është shprehur më tej Topi.

Përfshirja e Topit të partinë e re të së djathtës ishte përfolur qysh në kohën kur ai mbante ende postin e kreut të shtetit, ndërsa vendimin për t’u bërë pjesë aktive e FRD-së, Bamir Topi e komentoi si një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit.


“Njëzet vjet më parë qytetarët kishin shpresë e besim, ndaj ata mbushën sheshet e Shqipërisë duke kërkuar të bëhemi si gjithë Europa. Pas dy dekadash, ata kanë arsye të ndjehen të zhgënjyer nga politika, të ndjehen të papërfaqësuar nga parti e klane politike”, – u shpreh Topi.

17 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)