FRD mbledh kuvendin kombëtar. Topi: Berisha dëboi “dhjetoristët”


Fatjona Mejdini


Bamir TopiIsh-presidenti Bamir Topi, kreu i Frymës së Re Demokratike, shpalli dje në kuvendin e parë të partisë që drejton, të djathtën e re shqiptare, e cila lufton dhe konkurron për vlerat reale të kësaj pjese të politikës shqiptare, që sipas Topit është uzurpuar dhe tradhtuar nga lidershipi aktual i Partisë Demokratike. Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga Bamir Topi, një vit pas krijimit, mbajti dhe Kuvendin e saj të parë kombëtar, ku merrnin pjesë delegatë të kësaj force të re politike nga të gjitha qarqet e vendit. Në Kuvendin e mbajtur paraditen e djeshme në Pallatin e Kongreseve, u mandatua dhe struktura aktuale e kësaj force politike për ta çuar FRD-në drejt zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Po kështu, në Kuvend u diskutua për kandidaturat e kësaj force politike në zgjedhjet e ardhshme, duke u caktuar vetëm drejtuesit kryesorë të listave, për të vijuar me pjesën tjetër në ditët në vijim. Në këtë Kuvend të parë të FRD-së u miratua statusi, programi dhe rregullorja e brendshme e funksionimit të partisë. Kreu i FRD-së, Bamir Topi, në fjalën e tij përpara delegatëve të Kuvendit theksoi se PD-ja e Kryeministrit Berisha është sot një forcë e rrënuar politikisht dhe e pamoral, e cila duhej të ishte rrëzuar nga pushteti që më 15 maj. Ai theksoi se FRD-ja ishte shtëpia e vërtetë intelektualëve dhe elitës liberale e të përndjekurve dhe ish-pronarëve që kërkonin një ndryshim të vërtetë në vend.


Topi


Ish-kreu i shtetit, Bamir Topi, në fjalën e tij të parë përpara Kuvendit të partisë që ka muaj që drejton, i mëshoi idesë se FRD-ja ishte e djathta e vërtetë në vend. Ai e quajti FRD-në përfaqësuesen e vërtetë të shtresave të djathta, si ish të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, duke theksuar se Partia Demokratike kishte kohë që i kishte harruar ata. Topi theksoi se në vend të të përndjekurve, PD-ja kishte bërë pjesë të saj ish- komunistë dhe njerëz që i kishin përndjekur, jo vetëm të përndjekurit, por edhe ish-dhjetoristët e vitit 1990. “FRD-ja operon në një mjedis problematik për shoqërinë shqiptare. Të gjithë e dinë që e djathta është në krizë, pasi investoi shumë për ish-komunistët, zyrtarë që për hir të interesave të pushtetit kanë braktisur çdo nocion të së djathtës. Kjo e djathtë në pushtet zgjodhi aleancë me ish-komunistët dhe gjysmën e opozitës së majtë, ndërkohë që dëboi ish-dhjetoristët dhe ish të përndjekurit. Kjo e djathtë në pushtet nuk e njeh nocionin bazë të demokracisë, votën dhe oponencën. Nuk nxit dhe as mbështet një partneritet aktiv dhe të sinqertë me SHBA-në dhe BE-në. Nuk ka identitet dhe e konsideron moralin mbetje arkaike”, theksoi Topi. Ai po ashtu akuzoi edhe PS-në si bashkëpërgjegjëse për këtë situatë, duke e akuzuar fillimisht për ndryshimet kushtetuese dhe po kështu për faktin se nuk kishte kërkuar rrëzimin e Berishës pas ngjarjes së Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën me qindra.


Listat


Në Kuvendin e djeshëm të FRD-së u vendos dhe një pjesë e mirë e emrave që do të garojnë nën siglën e FRD-së në të gjithë vendin më 23 qershor. Kështu qarkun më të rëndësishëm, atë të Tiranës, do ta drejtojë vetë ish-presidenti Bamir Topi, pasuar nga nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, dhe gazetarja Edlira Gjoni. Në Durrës, pas nënkryetarit Gazmend Oketa, do të jetë në listë biznesmeni Sami Gjergji. Dibra i është lënë ish-deputetit të PD-së, Sali Shehut, Vlora Daut Gumenit, Berati Edmond Dragotit, Shkodra Fatlum Nurjës, Kukësi Ardian Elezit, Elbasani Artin Kovaçit, Gjirokastra Valbona Durit, Lezha Afrim Krasniqit, Korça Alfred Çakos dhe Fieri Shezai Çobos. FRD-ja ka zgjedhur të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme dhe ajo ka denoncuar imoralitetin, me të cilin, sipas saj, u ngritën dy koalicionet kryesore në vend.


 


 


Topi për KQZ-në


“KQZ-ja i ngjan një organizmi dhe skeleti që operon vetëm me njërin krah, nuk është aspak funksional dhe nuk ka asnjë lloj garancie. Në atë institucion vijon të operojë një frymë despotike”


 


Arvizu


Kuvendin e djeshëm të FRD e ndoqi dhe ambasadori amerikan i akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu.


 


Lista e FRD-së për 23 qershorin:


Tiranë


Bamir Topi


Aleksandër Biberaj


Edlira Gjoni


Durrës


Gazmend Oketa


Sami Gjergji


Dibër


Sali Shehu


Vlorë


Daut Gumeni


Aleksandër Flloko


Berat


Edmond Dragoti


Aleksandër Sallabanda


Agim Ajazi


Shkodër


Fatlum Nurja


Belma Muka


Kukës


Ardian Elezi


Elbasan


Artin Kovaçi


Krenar Xhemali


Gjirokastër


Valbona Duri


Cezar Kotoni


Korçë


Alfred Cako


Ilir Gusho


Lezhë


Afrim Krasniqi


Fran Kaçori


Fier


Shezai Çobo


Stavri Ristani