Kur kanë kaluar vetëm disa ditë pasi ish-presidenti Bamir Topi ia dorëzoi këtë post, të cilin e mbante prej 5 vjetësh pasardhësit të tij, Bujar Nishani ai zhvilloi sot paradite takimin e parë zyrtar me grupin nismëtar të partisë më të re në spektrin e partive në vendin tonë, Frymës së Re Demokratike. Takimin, i cili ishte lajmëruar pak ditë më parë, Topi e konsideroi edhe si hapin e parë zyrtar të rikthimit të tij në politikë.
Pas mbylljes së takimit i cili u mbajt në ‘Tirana International’, me themeluesit e FRD, Topi theksoi se deri në fund të këtij muaji ai do të finalizojë dhe zyrtarizojë edhe pozicionin e tij politik në partinë e re, pa specifikuar faktin nëse do të ishte ai kreu i FRD.
“Këtë takim e konsideroj si hapin e parë publik të procesit të rikthimit tim në politikë. Jam i bindur tashmë se takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD, një forcë e re politike që në vizionin politik e ka bërë të qartë se do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare”, – u shpreh Topi.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët lidhur me mundësinë e aleancave që FRD mund të krijojë me partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme, Topi mbështeti deklaratat e mëparshme të FRD-së dhe konkretisht të njërit prej themeluesve të saj, Gazmend Oketa, i cili ka theksuar faktin se FRD do të pranojë aleancë vetëm me qytetarët.
“Sot flas nga një pozicion personal, se kur të zyrtarizohet pjesëmarrja ime do jemi të kujdesshëm që vendimet të jenë të partisë. Unë shkoj në sintoni me Oketën, aleanca vetëm me qytetarin dhe jo me atë psikologji dhe atë politikë që konsiderohen parti të vjetra”, – vijoi më tej Topi.
3 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com