FRD hap degën në Durrës, shpërthen ish-presidenti i Republikës
“Ndryshimi i qeverisë së korruptuar në pushtet është një objektiv, por jo gjithçka që duam të arrijmë. Duam të ndryshojmë sistemin politik e partiak në vend që t’i japim fund praktikës kur një parti, një individ a grusht njerëzish të pavotuar marrin peng shtetin dhe institucionet e tij, e zëvendëson demokracinë me oligarkinë, vijnë në pushtet me premtimin për t’u shërbyer qytetarëve dhe në fakt në pushtet punojnë për t’i kthyer njerëzit në shërbëtorë”, ka deklaruar kreu i FRD-së, Bamir Topi, gjatë zyrtarizimit të degës së kësaj partie në qytetin bregdetar të Durrësit, ku qindra anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force të re politike kanë mbushur plot e përplot sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Mes pjesëmarrësve kishte edhe persona që deri dje janë konsideruar pjesë e elektoratit të Partisë Demokratike. Nga Durrësi, Topi ka sulmuar sjelljen e Kryeministrit Sali Berisha si uzurpator të pushtetit dhe person i vetëm që vendos për gjithçka dhe kontrollon parlamentin, qeverinë, gjyqësorin dhe brenda pak ditësh edhe prokurorinë, median dhe jetën publike, duke dhënë shembullin e Shqipërisë së pashallarëve të Mesjetës dhe regjimeve diktatoriale, ku shteti e qytetari identifikohen me unin. Më tej Topi është ndalur edhe në abuzimin me simbolet kombëtare dhe zëvendësimin e tyre me ato të një partie politike, një fakt të cilin e ka quajtur të patolerueshëm. V. Qyrfyçi