Aksidenti i vitit 1989: Aksidenti i rëndë të kujton ngjarjen tragjike të vitit 1989, kur një autobus ra pothuajse në të njëjtën zonë, por veç tij u rrëzuan edhe dy helikopterë që ishin nisur për shpëtimin e të aksidentuarve, për shkak të motit të keq. Nga kjo ngjarje humbën jetën 23 veta
Aksidenti
Nga ngjarja e rëndë humbën jetën 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari një studenteje
Itinerari dhe vonesa e ndihmës së parë për studentët e nisur nga universiteti “Aleksandër Xhuvani”
Kthesa e vdekjes, e quajtur Qafa e Vishës, ka shkaktuar aksidentin tragjik, duke i marrë jetën 11 studenteve, të fejuarit të një prej studenteve, shoferit të autobusit, dhe duke plagosur rëndë 27 të tjerë. Autobusi me 34 veta në bord ka rënë në një greminë 70 metra, në një kthesë të gjerë, teksa zbriste rrugës për në Himarë, pasi ishte nisur dje në mëngjes nga Elbasani për një ekspeditë të studentëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Ngjarja tragjike, që tronditi mbarë Shqipërinë dhe ka ngritur në këmbë shtetin, ka qenë fatale për jetën e 13 udhëtarëve, ku 11 prej tyre kanë vdekur në vend, një vajzë e re ka ndërruar jetë rrugës për në spital dhe studentja e fundit ka vdekur në orët e vona në Spitalin Ushtarak.
Aksidenti
Rreth orës 16:15, policia është njoftuar se në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, 55 vjeç, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi prej 70 metrash. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën, por ato kanë vonuar pothuajse 40 minuta për të mbërritur aty. Gjatë kësaj kohe, vetë kalimtarët, mes të cilëve një autobus që vinte nga Greqia, ka dhënë ndihmën e parë për të aksidentuarit, që me urgjencë i kanë nisur për në qendrën spitalore të Himarës. Nga ana tjetër, edhe banorët e Himarës kanë ofruar ndihmën e tyre, duke i nxjerrë të aksidentuarit nga autobusi i copëtuar. Pas 40 minutash, kur kishin mbetur ende disa nga viktimat në autobus, kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë, ndërkohë që pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës.
Grupet e shpëtimit
Drejt vendngjarjes është nisur edhe ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt vendngjarjes janë dërguar helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu janë nisur dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vendngjarje janë dërguar dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe janë krijuar grupe të posaçme me ekipe mjekësh, ndërkohë që ambientet spitalore janë vënë në gatishmëri të plotë. Nga ana tjetër, policia rrugore ka punuar për mbajtjen hapur të akseve rrugore për dhënien e ndihmës së shpejtë. Në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit është bashkëpunuar edhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Deri në orën 19:00 janë nxjerrë nga automjeti të dëmtuarit dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 40 persona.
Bilanci tragjik
Situata ka qenë kaotike, pasi numri i të dëmtuarve ka qenë i lartë dhe terreni i vështirë. Personat janë dërguar të gjithë në qendrën mjekësore të Himarës, nga ku janë shpërndarë në spitale më të specializuara, ku studentet në gjendje më të rëndë janë dërguar në Tiranë. Nga të dhënat zyrtare mësohet se bilanci tragjik flet për vdekjen e 11 studenteve, të fejuarit të një studenteje, shoferit të autobusit dhe plagosjen e 27 studenteve të tjera. Nga të plagosurit, 16 studente janë në gjendje të rëndë, ndërsa për 11 të tjera, situata paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Ble. Gi.
Përjetimi
Tri orët e kiametit në Himarë
Një shofer që e ndoqi me sy skenën dha lajmin në Himarë, duke kërkuar ndihmë. Me shpejtësinë e vetëtimës shkuan në vendngjarje banorët e parë himarjotë. Thoma Todhri, si gjithmonë i pari në këto raste, së bashku me Spiro Gjokën, Meleq Peculin, Lavdosh Halilin, Krenar Bushin, mbërritën në vend dhe filluan transportimin e njerëzve të aksidentuar. Mundohemi t’i marrim një shpjegim Thomait, por ai, i pikëlluar deri në thua, i tronditur e i lodhur, më thotë: më lër vëlla se nuk mund të të sqaroj. Në kokë e në sy ende kam atë skenë llahtari dhe klithmat e studentëve që më luteshin o xhaxhi më ndihmo mua! Pasi nxora 5-6 të parat, u mpiva dhe veproja pa vetëdije. Sonte nuk e di si do ta kaloj natën. Më lini të qetësohem! Duke pyetur të tjerë me radhë mësojmë se Spiro Gjoka, me të gjithë grupin e djemve, hiqnin këmishat dhe bluzat, e mbështillnin studentët dhe i nxirrnin në rrugë, ku i prisnin makinat me njerëz dhe i përcillnin për në qendrën shëndetësore të qytetit të Himarës. Me dhjetëra makina e qindra njerëz kishin shkuar në grykën e keqe të Vishës. Krenar Bushi, në atë mori lëvizjesh, i zuri syri një studente e cila kishte ngelur në mes të faqes shkëmbore dhe shikonte pa vetëdije se ç’po ndodhte në fund të humnerës. E pyeta – thotë Krenari, por ajo nuk më përgjigjej. Atëherë e mora në makinë dhe e çova në shtëpi. Ishte Arta Ballabani, fatlume për çastin dhe kur u qetësua, tregon se autobusi e nxori nga dera e pasme në momentin që po rrëzohej në humnerë. – Pashë shoqen time të ngushtë me kokën të varur tek tavani i autobusit, duke kërkuar ndihmë dhe pas atij momenti nuk mbaj mend asgjë. Të tjera pamje dhe skena ndodhnin në qendrën shëndetësore të Himarës. Sirena e autoambulancës së vetme të qytetit çante rrugët e rindërtuara të Himarës, duke sjellë të dëmtuarit. Aty, dhjetëra qytetarë të ardhur si me sinjal alarmi jepnin ndihmesën e tyre dhe qanin e drithëroheshin si të ishin bijtë dhe bijat e tyre. Ekipi i vogël mjekësor me bluzat e bardha sa ndihmonin të parët, prisnin të ardhurit e tjerë. Pak shtretër që ishin u mbushën… Pastaj u erdhi radha dyshemeve të dhomave, karrigeve, zyrave, e kështu me radhë, me çarçafët e spitalit dhe batanijet që sillnin njerëzit. Ndërkaq, makina shtetërore ishte vënë në gatishmëri të plotë. SIRENA AUTOAMBULANCASH që vinin nga Vlora, Saranda, Gjirokastra po manovronin në rrugicën e ngushtë prej bulevardit kryesor për te qendra shëndetësore. Nga qielli filluan të dëgjoheshin zhurmat e helikopterëve. Ndërsa gjithçka po menaxhohej më së miri, numri i viktimave rëndon shpirtin human të atij komuniteti, i cili po bënte të pamundurën për t’i ndihmuar. Telefonatat kryqëzoheshin dhe etja për informacion ndihej në çdo aparat telefonik, një pyetje nga një i panjohur na bëri të gjithëve të shtangnim. –Në autobus ishte edhe i fejuari i një studenteje, vallë ka shpëtuar? Nga verifikimi i bërë për momentin rezulton se dy meshkuj që ishin brenda në autobus, nuk kishin mundur të mbijetonin. Ne që ishim prezent në atë ngjarje, herë pas here ngrinim telefonat dhe përgjigjeshim, por dëgjonim aparate celularësh në trupin e viktimave që binin, por s’kishte kush t’u përgjigjej. Ndërsa po kryhej transporti për në destinacionet e nevojshme, një grua bregase me shami të zezë në kokë filloi t’i ligjëronte sipas traditës me vaj e ligje, me lot shpirti duke përsëritur refrenin vajtues – o bijo oho… Tri orë zgjati kiameti dhe gjithçka filloi të qetësohej, por dhimbja filloi të ngurtësohej…
