Komisioni i Edukimit rrëzon dekretin e Presidentit për ligjin e Arsimit të Lartë. Debate, edhe për tekstet
Ilda Hoxha
Rasti i transferimit të mësuesve në Hotolisht ka shkaktuar debate të forta dje në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka deklaruar se transferimi i tyre është bërë për shkak të dhunës që ushtronin. Sipas Nikollës, në këtë shkollë, MAS ka nisur inspektimet dhe pritet që të arrihet në një konkluzion përfundimtar. Më tej ajo theksoi se i është raportuar se në këtë shkollë kishte rrahje masive. “Rasti i Hotolishtit po vëzhgohet. Inspektorët janë në vend. Po shikohet çfarë ka ndodhur emër për emër dhe do njiheni me masat, hapat dhe gjithë situatën. Raportimi i drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Librazhdit është i tillë, që ka qenë një problem gangrenë i raportuar dhe në media i rrahjeve masive të mësuesve në sy të nxënësve, për të cilët ajo ka menduar një zgjidhje të tillë, jo duke i lënë pa punë, por duke transferuar ata mësues që nuk edukonin por çedukojnë”, tha ministrja e Arsimit. Deputeti demokrat Bedri Hoxha ka theksuar se nuk është normale që mësues që akuzohen për dhunë të transferohen diku tjetër, pasi nëse kanë dhunuar, këtë gjë do ta bëjnë edhe në shkollën tjetër. Ai është shprehur dyshues për këtë argumentim të ministres. Mirëpo, transferimi i mësuesve është cilësuar nga opozita si i kundërligjshëm, duke theksuar se të drejtën për emërimin dhe çemërimin e mësuesve e ka drejtori i shkollës, pas konsultimeve me prindërit. Gjithashtu deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se ky ndryshim bëhet me udhëzim të Ministrisë së Arsimit, gjë e cila nuk ka ndodhur. “Referuar nenit 60, është drejtori i shkollës që e çemëron mësuesin dhe ai e çon diku tjetër. Nuk ka transferim. Drejtoria arsimore nuk ka tagër të bëjë transferimin, është drejtori. Duhet drejtori që ta pranojë. Duhet komisioni, i cili është i hapur, janë prindërit që vendosin. Nuk mund të iki nga një shkollë në tjetrën për efekt të orës, se nuk plotëson orët. Duhet bërë akt emërimi dhe çemërimi. Nuk ka një udhëzim të ministres, pasi kjo bëhet me udhëzim. Duhet të dalë udhëzimi për të përcaktuar si bëhet akti i emërimit dhe çemërimit të mësuesit. Veç kësaj, ai akuzoi se largimi dhe transferimi i mësuesve është bërë për arsye politike. Boçi u shpreh se shkolla në Hotolisht nuk po zhvillon mësim dhe se prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë ngritur dhe po kundërshtojnë këtë gjë. “Mësuesit po largohen sikur të ishin njeri pa njeri, sikur të mos kishin profesionin e tyre. Shkolla e Hotolishtit sot nuk po bën mësim. Prindërit nuk janë dakord, mësuesit jo dhe nxënësit jo. Të hiqet i gjithë stafi i një shkolle dhe të zëvendësohen në mënyrë antiligjore është e turpshme. Masat duhet të ishin drastike. Po largohen mësues në të gjithë vendin”, theksoi deputeti Luçiano Boçi. Ndërsa ministrja Nikolla e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike një gjë të tillë, pasi sipas saj asnjë mësues nuk është larguar për arsye politike. Një fenomen i tillë, tha ministrja, ka ekzistuar vetëm në kohën kur arsimi drejtohej nga demokratët. “Nuk janë bërë largime të mësuesve për arsye politike. U bëj thirrje të gjithë mësuesve të ndihen të lirë për të denoncuar çdokënd kur bëhen kërcënime për bukën e gojës. Vendi i punës ka vetëm një matës që është cilësia dhe performanca dhe jo për t’i larguar nga puna”, u kundërpërgjigj Nikolla.
Tekstet shkollore
Një tjetër çështje që ngjalli debat ishte edhe mungesa e teksteve shkollore. Ministrja e Arsimit e pranoi një problem të tillë, por sqaroi se kjo ka ardhur për shkak të formalizmit që MAS po bën në shitjen e teksteve me kupon tatimor. Rritja e çmimit të teksteve ishte një tjetër problematikë që ngjalli debat në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Deputeti demokrat, Bedri Hoxha, tha se çmimet e librave janë rritur me 30%, por kjo u hodh poshtë nga ministrja. “Flisni me gjysmë të vërteta, nuk shtoni se në klasën e gjashtë është shtuar edhe një titull libri, pra Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit. Po ashtu, në klasën e gjashtë tekstet e gjuhëve të huaja janë tekste nga shtëpi botuese të huaja. Megjithëse është shtuar cilësia, është shtuar një libër dhe kemi tekste që vijnë nga shtëpitë e huaja botuese, është rritur vetëm me 600 lekë. Ka më shumë libra”, deklaroi ministrja e Arsimit, Nikolla. Veç kësaj, u ngritën një sërë problemesh të tjera që lidhen me mësuesit jashtë profilit, mësimin me dy turne, që edhe këtë vit vazhdon, por qytetet më problematike janë Tirana dhe Durrësi. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bëri me dije se në muajin dhjetor mësuesit do t’i nënshtrohen provimit. Sipas saj, qëllimi i testimit është për të parë nivelin në të cilin ndodhen mësuesit dhe nuk bëhet për të larguar asnjë nga puna. Pas rezultateve të tij, ministrja sqaroi se do të bëhen programe dhe trajnime, për të rritur cilësinë në mësimdhënie. Ndër të tjera, Nikolla theksoi se edhe sot, mësuesit i marrin kreditit, duke paguar dhe kjo skemë duhet ndryshuar sa më parë. Ajo akuzoi demokratët si shkaktarët kryesorë të gjendjes së sistemit arsimor në vendin tonë. “Ne jemi shumë të qartë se çfarë duam të bëjmë. Do të ketë një vlerësim për të gjithë mësuesit në sistem, për nivelin e tyre të aftësive dhe jo për t’i hequr nga puna, por për të ndërtuar një sistem tjetër të dijeve. Janë 60 agjenci private që bëjnë trajnimin e mësuesve dhe si e bëjnë këtë punë? Bëjnë një telefonatë dhe thonë dua kaq kredite dhe paguhen eurot dhe merret diploma. Kemi një proces të akreditimit të këtyre agjencive deri në vitin 2017”, nënvizoi ajo.
Rrëzimi i dekretit
Dekreti i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për kthimin e ligjit të arsimit të lartë u hodh poshtë dje nga anëtarët e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Me 7 vota kundër dhe 4 pro, nuk u pranua dekreti i kreut të shtetit. Të enjten pritet që ligji i shumëdebatuar i arsimit të lartë të shkojë në Parlament për t’u shqyrtuar. Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, ka theksuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ku do të paraqesin argumentet kundër ligjit të arsimit të lartë. “Të diskutohet edhe një herë Ligji i Arsimit nga e para me gjithë grupet e interesit”, tha Boçi. Pikat më të kundërshtuara janë ato që lidhen me autonominë e universiteteve, 5 tarifat që duhet të paguajnë studentët, kredinë studentore apo edhe faktin që në qendër vihet shteti dhe jo universiteti. Deputetja dhe relatorja Mimoza Hafizi u shpreh pro ligjit të arsimit të lartë, duke deklaruar se kredia studentore është në mbështetje të studentëve. “Në dekret pretendohet se ligji detyron tarifa të larta shkollimi në arsimin e lartë. Të njëjtat tarifa janë prej vitesh dhe shteti nuk ka ndërhyrë të vendosë limite, pasi këto tarifa i vendos tregu”, theksoi Mimoza Hafizi. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, paraqiti argumentet pro dekretit të Presidentit, duke kundërshtuar tarifat e larta dhe kredinë studentore. “Për fat të keq, qeveria zgjodhi rrugën tjetër. Ligji paraqitet ashtu siç ka qenë për t’u votuar. Ju keni shumicën e kartonëve dhe mund ta bëni”, tha Myqerem Tafaj. Ndërsa ministrja Nikolla nuk pranoi të komentonte dekretin e Presidentit.