Flet anëtarja Ermelinda Meksi
Vota kundër – “Kam kërkuar që në amendimet që do t’i bëhen ligjit të parashikohet publikimi i minutave të mbledhjeve dhe/ose votës kundër me shpjegimet përkatëse, në mënyrë që publiku të dijë qëndrimin dhe gjykimin e çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore”
Përfitimet – Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH kanë rritur rrogat e tyre, duke i bërë shtesa Guvernatorit
Shpenzimet e Bankës së Shqipërisë për dietat kanë shkaktuar debate të forta në forumet e ndryshme mediatike. Institucioni me pavarësi absolute ligjore është vendosur nën shënjestrën e kritikave nga opozita për politikën e ndjekur të shpenzimeve sa u takon komoditeteve për dietat, udhëtimet, ushqimet dhe të ardhurat në tërësi nga pagat e honoraret.
Dy ditë më parë, guvernatori Ardian Fullani u përgjigj i qetë, duke thënë se investimet (jo shpenzimet) janë transparente dhe i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së burimeve njerëzore.
Në këtë debat të natyrshëm pyetjet lidhen me rolin e Këshillit Mbikëqyrës, të përbërë nga disa anëtarë, kryesisht akademikë dhe profesionistë të fushës së financave.
E pyetur nga gazeta “Shqip”, lidhur me këtë çështje, Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, thotë se, “pavarësia e Bankës Qendrore është e lidhur pazgjidhshmërisht me llogaridhënien e transparencës dhe për këtë arsye, që në seancën e votimit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në Komisionin e Ekonomisë i kam kërkuar/propozuar Kuvendit mbështetje për rishikimin e ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë’. Personalisht kam kërkuar që në amendimet që do t’i bëhen ligjit të parashikohet publikimi i minutave të mbledhjeve dhe/ose votës kundër me shpjegimet përkatëse, në mënyrë që publiku të dijë qëndrimin dhe gjykimin e çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të bankës qendrore”, thotë Meksi.
Në filozofinë e zj.Meksi, banka jonë qendrore duhet të adaptojë praktikat më të mira të bankave qendrore në vendet e Bashkimit Europian dhe Rezervave Federale për të rritur në një shkallë më të lartë transparencën dhe llogaridhënien e saj, çka do të përsoste eficensën dhe përgjegjshmërinë e Bankës së Shqipërisë si në aspektet e vendimmarrjes për politiken monetare, mbikëqyrjen bankare, por edhe administrimit të shpenzimeve të saj, shton ajo.
Pyetjes lidhur mbi debatin dhe votimin në Këshillin Mbikëqyrës për shpenzimet dhe buxhetin e BSH-së, Meksi u përgjigj: “Në kushtet aktuale, vendimet merren me shumicën e votave të anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës dhe publikohen në buletinin zyrtar të vendimeve të Bankës së Shqipërisë. Në respekt të ligjit dhe Kodit të Etikës nuk mund të shprehem për votën time personale, për shkak se kjo do të binte ndesh me spektrin aktual ligjor/nënligjor, por vazhdoj të insistoj në filozofinë time të përmirësimit ligjor në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së Këshillit Mbikëqyrës të bankës sonë qendrore”.
A.Kola
“Superpaga”, guvernatori Fullani konkurron me kryebankierët e botës
Kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, merr 900 mijë lekë në muaj, më e larta në hierarkinë shtetërore, madje më shumë se paga e Presidentit, Kryeministrit dhe një ministri, të marra së bashku. Në vit arrijnë mbi 100 mijë dollarë, shifër rekord, duke pasur parasysh të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve, me rreth 4 mijë dollarë. Debati nuk lidhet me pavarësinë e BSH-së rreth shpenzimeve për stafin dhe komoditetin në punë, pasi kjo është e drejtë dhe element pozitiv për kushtet e punës të institucionit më të rëndësishëm në vend.
Guvernatorët e Bankave Qendrore, përgjithësisht janë të mirëpaguar në të gjithë botën. Ata ushtrojnë një funksion të rëndësishëm, pasi drejtojnë politikën monetare, një nga dy instrumentet bazë të politikave ekonomike. Megjithatë, diferencat mes pagës së guvernatorëve ndryshojnë fort nga njëri vend në tjetrin. Ben Bernake, shefi i rezervës federale në Shtetet e Bashkuara, ekonomisë më të fuqishme të botës, rezulton ndër më të keqpaguarit.
Zoti Bernake ka një pagë vjetore 3.8 herë më të lartë se sa të ardhurat mesatare për frymë të Shteteve të Bashkuara. Në krye të listës, qëndron Mervin King, guvernatori i Bankës së Anglisë, i cili paguhet 12.4 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare të një qytetari britanik. Në vend të dytë, është Ardian Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë rezulton të jetë një nga më të mirëpaguarit. Të ardhurat që ai siguron nga paga e tij vjetore dhe honoraret në Këshillin Mbikëqyrës janë rreth 100 mijë dollarë, ose 11.7 herë më të larta se sa të ardhurat mesatare të një shqiptari.
Me këtë pagë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë paguhet në terma relative tri herë më shumë se guvernatori më i rëndësishëm i botës, amerikani Ben Bernake, përgjegjësitë e të cilit janë shumë herë më të mëdha, pasi përgjigjet veç stabilitetit të çmimeve edhe për punësimin dhe mbarëvajtjen e ekonomisë.
Përgjithësisht pjesa më e madhe e guvernatorëve paguhen nga 3.5 deri në 7 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare për frymë të vendit të tyre. Këtu përfshihet, guvernatori i Francës, ai i Australisë, i Suedisë dhe madje edhe guvernatori i Irlandës. Ky i fundit, gjatë këtyre dy viteve e ka ulur vullnetarisht disa herë pagën e tij, si shenjë solidariteti ndaj krizës dhe vështirësive të financave publike, një akt i huaj deri më tani për zyrtarët shqiptarë.
Përcaktimi i pagave në Bankën e Shqipërisë funksionon si një qark i mbyllur, pasi deri pak kohë më parë ishte vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës ai që i vendos ato. Deri para ndryshimit të ligjit, pagat e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës vareshin nga paga e guvernatorit, për rrjedhojë, sa e lartë të ishte shuma, aq më tepër rritej rroga e anëtarëve, të cilët marrin 170 mijë lekë në muaj. Në Shqipëri madje, paga e guvernatorit nuk është e kufizuar as në hierarkinë kombëtare të pagave. Kjo bën që aktualisht guvernatori të paguhet disa herë më shumë, jo vetëm se Presidenti shqiptar, por edhe se ai amerikan, Barack Obama, njeriut më të fuqishëm në botë.
Zoti Obama ka një pagë mesatare vjetore prej 300 mijë dollarësh, që në raport me të ardhurat mesatare për frymë është 6.3 herë më e lartë, nga 11.7 që është ajo e Fullanit.
Ndonëse nuk paguhen nga taksat e qytetarëve, pagat e bankierëve qendrore paguhen sërish me para publike, pasi e drejta e sinjorazhit, një nga instrumentet kryesore me të cilin banka krijon të ardhura, është e drejtë e patjetërsueshme e sovranit, pra qytetarëve. Pavarësia e Bankës Qendrore është e rëndësishme dhe nuk vihet në diskutim, por në këtë pikë pyetja që shtrohet është, sa larg duhet të shkojë pavarësia.
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës marrin një pagë mujore 170 mijë lekë dhe kanë rol në vendimmarrje
Paga e guvernatorëve ndaj të ardhurave mesatare për frymë
Mervin King, Angli 12.4 herë
Ardian Fullani, Shqipëri 1.7 herë
Mark Carney, Kanada 8.3 herë
Patrick Honohan, Irlandë 6.5 herë
Stefan Ingves, Suedi 5.1 herë
Christian Noyer, Francë 4.65 herë
Ben Bernake, Amerikë 3.8 herë
Glenn Stevens, Australi 3.65 herë