Partia Socialiste, përmes deputetit të saj Erion Braçe ka kërkuar ditën e sotme dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami i cili sipas tij është i përfshirë në një skandal të madh të tregtimit të paligjshëm të armëve gjatë konfliktit në Jemen, gjë që sipas deputetit të PS, i ka lënë një njollë të zezë Shqipërisë. Braçe ka vijuar edhe ditën e sotme të servirë fakte të reja lidhur me skandalin e tregtimit të armëve ushtarake nga ushtria jonë me ndërmjetësimin, sipas Braçes në çdo rast të firmave sllave dhe shtetasve serbë.


Deputeti i PS e ka azkuar Ministrinë e Mbrojtjes si të  përfshirë në tregti armësh me shtetasin serb Sllobodan Tesiç, i listuar në listën e zezë të Këshilli i Sigurimit Kombeve të Bashkuara, pasi kompania e tij “Moon Storm Enterprises” i ka tregtuar armë regjimeve të cilësuara nga SHBA-të si terroriste.


Braçe ka paraqitur para mediave ditën e sotme një kontratë që ka si objekt shitjen e mbi 20 mijë predhave dhe mortajave dhe 4 milionë fishekëve drejt Jemenit në një kohë kur sipas Braçes ky vend ishte i përfshirë nga konflikti.


“Bëhet fjalë për Shitjen ne Jemen të 21 mijë predhave dhe mortajave dhe 4 milionë fishekëve. Për periudhën fund 2009, fund 2010 dhe fillimi i vitit 2011. Kjo është periudha e nisjes së konfliktit civil në Jemen. Transaksioni është kryer duke përdorur Malin e Zi si transit”, – deklaroi Braçe.


Ndërkohë, Braçe tërhoqi vëmendjen lidhur me faktin se në 90 për qind të kontratave partnerët kryesorë janë shtetas serbë dhe i kërkoi ministrit Imami të marrë përsipër përgjegjësinë politike që i takon duke dhënë dorëheqjen.


2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)