Nga “Durrës – Kukës”, “pakti detar” deri te “21 janari”


Pakti detar – Vetëm pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013, ministri aktual i Jashtëm, Ditmir Bushati, do t’i dërgonte disa dokumente prokurorisë


Prokuroria konkludoi se ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës ishte bërë në shkelje të ligjeve dhe se dëmi i shkaktuar shtetit ishte mbi 300 milionë euro


Jepet pa tender mirembajtja e Tunelit te Krrabes_1Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës është një emër i njohur për drejtësinë. Ai është hetuar në çdo institucion që ka drejtuar, që pas vitit 2005. Padyshim, çështja më e bujshme ka qenë abuzimi me rrugën Durrës – Kukës, ndërsa nuk janë pas edhe marrëveshja e paktit detar me Greqinë apo edhe “21 janari”.


Vite më parë, gjatë ndërtimit të rrugës Durrës – Kukës, prokuroria filloi hetime. Mori në pyetje dhjetëra persona, sekuestroi një mori dokumentesh, si dhe bëri edhe akte ekspertimi. Në fund, organi i akuzës konkludoi se ndërtimi i kësaj rruge ishte bërë në shkelje të ligjeve dhe se dëmi i shkaktuar shtetit ishte mbi 300 milionë euro. I pandehur u mor ministri i atëhershëm i Transporteve, Lulzim Basha, bashkë me dy vartës të tij. Atyre iu komunikua akuza dhe në këtë fazë, filloi ajo që tashmë njihet në sistemin e drejtësisë “precedenti Lulzim Basha”. Ish-ministri i Transporteve kundërshtoi prokurorinë në zgjatjen e hetimeve në gjykatë dhe me disa vendime të njëpasnjëshme, ai fitoi. Megjithatë, prokuroria nuk u dorëzua dhe e çoi çështjen në gjykatë, pavarësisht se togat e zeza ishin shprehur kundër zgjatjes së hetimeve. Dhe, ashtu siç pritej, Gjykata e Lartë vendosi të pushonte çështjen, për shkak se njoftimi i akuzës ndaj të pandehurve ishte bërë jashtë afateve ligjore, ashtu si edhe përpilimi i kërkesës për gjykim.


Ndërkohë, pas Ministrisë së Transporteve, Lulzim Basha mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme, ku sërish nuk do i ndaheshin skandalet. Gjatë drejtimit të kësaj ministrie, ai nënshkroi marrëveshjen e detit me Greqinë, ku u akuzua se i kishte falur një sipërfaqe ujore shtetit grek. Për vite me radhë, ministria nuk bëri kallëzim, ndërsa prokuroria nuk hetoi me iniciativë. Vetëm pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013, ministri aktual i jashtëm, Ditmir Bushati, do t’i dërgonte disa dokumente prokurorisë. Pas një sërë hezitimesh, prokuroria filloi verifikimet, që ende janë të hapura. Në pyetje janë marrë disa ushtarakë apo edhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, ndërsa nuk ka asnjë informacion për pyetjen ose jo të Lulzim Bashës. Akuza thotë se ende nuk ka asnjë vendimmarrje, ndërsa pret vjeshtën për të vendosur nëse do të marrë ndonjë person të pandehur apo jo.


Pas këtij skandali, Basha la Ministrinë e Jashtme për t’u emëruar si ministër i Brendshëm. Në janar të vitit 2011, zhvillohet demonstrata, ku katër persona u vranë. Opozita e atëhershme akuzoi Bashën si një nga urdhëruesit e gardistëve për të qëlluar me armë ndaj protestuesve të paarmatosur. Në atë kohë u hetuan vetëm gardistët, ndërsa aktualisht është një çështje e hapur në prokurori, ku Ministria e Brendshme e ka kallëzuar se ka urdhëruar ngritjen e një helikopteri për të hedhur lëndë për të shpërndarë turmën. Edhe për këtë dosje, akuza thotë se nuk ka vendimmarrje.