Autoritetet franceze kanë premtuar përshpejtimin e procedurave. Varrimi do të zhvillohet të enjten
Trupi i pajetë i poetit të njohur kosovar Ali Podrimja do të kthehet në Kosovë ditën e mërkurë. Lajmin e ka konfirmuar për gazetat kosovare, ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi. Ai ka deklaruar se autoritetet franceze i kanë premtuar se deri të martën do të përfundojnë procedurat mjeko-ligjore, të cilat do të zbulojnë shkaqet e vdekjes së shtatëdhjetëvjeçarit. “Të mërkurën pasdite është paraparë kthimi i poetit Ali Podrimja në Kosovë. Kjo është ajo që dimë ne”, ka thënë ambasadori. Ai ka konfirmuar se në trupin e pajetë të poetit të madh kosovar nuk ka pasur shenja të dhunës, lëndimit apo agresionit, që e ka bërë policinë franceze të konstatojë paraprakisht se bëhet fjalë për vdekje natyrale.
Familjarët e poetit po presin që Podrimja të varroset në Prishtinë, një ditë pas mbërritjes së trupit të pajetë.
Djali i poetit, Petrit Podrimja, i cili kishte udhëtuar në Francë nga Holanda, po asiston në koordinimin e procesit të kthimit të të atit në vendlindje. Djali tjetër, Dren Podrimja, i cili jeton në Prishtinë, ka thënë se të atin po planifikojnë ta varrosin në varrezat e kryeqytetit, një ditë pasi që trupi i pajetë i tij të ketë mbërritur.
“Me detajet atje është duke u marrë edhe Petriti. Ne po shpresojmë që të enjten apo më së largu të premten ta varrosim të ndjerin”, ka thënë Dreni.
23 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)