Mediat
Serbët e Blic: Po vendosin një rend të ri, shqiptarët janë të parët
Vizita e Kancelares gjermane, Angela Merkel, në Shqipëri është komentuar gjerësisht në mediat e huaja. Agjencia zyrtare gjermane e lajmeve, DPA, shkruan se “Kancelarja Federale, Angela Merkel, e ka siguruar Shqipërinë për mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e saj drejt BE. Gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ajo i vlerësoi përpjekjet e deritanishme të këtij vendi. Perspektiva për anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon, theksoi Merkel. Shqipëria është qysh prej qershorit 2014, një vend kandidat për në BE. Por vendit i duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa gazeta “Tagesspiegel: shkruante ndër të tjera se: Shqipëria është stacioni i parë në turin ballkanik të Kancelares. Para së gjithash gjenerata e re shpreson për një anëtarësim të shpejtë në BE – për të përmirësuar shanset e veta në tregun e punës. Kjo pikë u diskutua edhe në takimin që zonja Merkel pati me homologun e saj, Edi Rama. Po ashtu, gazeta gjermane “Stuttgarter Zeitung” shkruante se: Qysh nga qershori 2014, Shqipëria është tashmë një vend kandidat i BE-së, por i duhet të luftojë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kancelarja Angela Merkel i ka dhënë mbështetje Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në rrugën e Shqipërisë për në bashkësinë e shteteve europiane. Ndërkaq, agjencia prestigjioze “Associated Press” theksonte gjithashtu: Kancelarja ka siguruar Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor se nuk do ketë vonesa në perspektivat europiane të tyre, por tha se ata duhet të thellojnë reformat për të arritur standardet e kërkuara. Shqipëria e cila ka siguruar statusin e kandidatit një vit më parë, duhet të përmbushë pesë kategori që lidhen me administratën publike dhe sistemin e drejtësisë para se të nisë bisedimet për anëtarësim. Më parë gjatë javës qeveria gjermane, njëra ndër donatoret më të mëdha të Shqipërisë postkomuniste, i dha 107.5 milionë euro asaj për të çuar përpara sektorët e energjetikës dhe furnizimit me ujë. Prestigjiozja “Bild” e vë theksin te fakti se Merkel është Kancelarja e dytë gjermane që vjen në Tiranë nga viti 1999, duke i dhënë edhe më tepër peshë kësaj vizite. Ndërsa “Deutsche Welle” shkruan se, “Merkel viziton Shqipërinë, pikërisht në mesin e krizës greke”. Por gjithashtu, agjencia gjermane e lajmeve citon se, çështja e borxhit në vendin fqinj ndikon në ekonominë e vendeve të Ballkanit. “Deutsche Welle” thekson se ajo që kanë të përbashkët tri vendet e përzgjedhura nga Merkel: Shqipëria, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, është papunësia e lartë, korrupsioni i gjerë dhe elitat autoritare politike, por në rastin e Tiranës gjërat janë më të thjeshta, pasi Shqipëria është faktor stabiliteti në Ballkan. Edhe agjencia “Bloomberg” në një analizë të saj thekson se Merkel e di se destabiliteti politik në Greqi do të shkaktonte turbulenca të tjera në Ballkan dhe se ajo është e shqetësuar për pasojat e mundshme gjeopolitike të një Grexit, pasi një shtet i dështuar në kufijtë e Europës do të shkaktonte një Ballkan të paqëndrueshëm. Ndërsa, “Kathimerini” shton se shumë emigrantë shqiptarë që prej vitesh jetojnë në Greqi, me shumë gjasë do t’i drejtohen Gjermanisë për një jetë më të mirë dhe sipas gazetës greke, kjo është një nga problematikat që Merkel do ta diskutojë me Kryeministrin Rama. Ndërkohë, “Economic Times” sjell në vëmendje faktin se vizita e Merkel në Shqipëri do t’i shërbejë vendit ish-komunist për të shëruar një nga plagët e tij më të mëdha, atë të korrupsionit, duke shtuar se kjo është një nga pikat kryesore për t’u përmbushur nga vendi që e dëshiron aq shumë integrimin në Bashkimin Europian. Ndërsa britanikja “The Guardian” shkruan se puna asnjëherë nuk ndalon për një nga personalitetet më të fuqishme në botë, duke iu referuar Angela Merkel dhe vizitës së saj në Tiranë. Ndërsa mediat serbe duke i dhënë jehonë vizitës së ‘gruas së hekurt’ në Ballkan, theksojnë se shtetet e mëdha po vendosin një rend të ri në Ballkan, ku shqiptarët janë të parët. “SHBA, Britania dhe Gjermania, anëtarët kyçë të partneritetit euroatlantik do të iniciojnë një rend të ri për Ballkanin” janë fjalë të gazetës së serbe “Blic” sipas të cilës “në rendin e ri” shqiptarët do të jenë më të fuqishmit në Ballkanin Perëndimor. Këto vende mund të përparojnë dhe të hyjnë në Bashkimin Europian, por sipas gazetës do të ketë prioritete për t’u zbatuar që lidhen me zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Dhe nëse hedh një sy në Ballkan sheh “nacionalizmin serb”, akses në NATO, shpërbërje të Republikës Serbe dhe në krahun tjetër një “shqiptarë të kënaqur” në të gjitha vendet ku jetojnë. Ivan Vejvoda, nga German Marshall Fund, thotë se Serbia do të jetë e fundit që do të rregullojë imazhin në syrin e perëndimit. Sipas tij, gjatë vizitës në Tiranë, Merkel do t’i kërkojë Ramës të ulët tensionet me radikalët islamikë në Kosovë dhe Maqedoni dhe të vazhdojë me rritjen e negociatave me Serbinë. Për sa i përket Beogradit, ajo do të bëjë të qartë se nuk do të ketë anëtarësim në BE pa njohjen e Kosovës. “Me pak fjalë, një dobësim të mëtejshëm të Serbisë”, thotë analisti për “Blic”.