Gjatë ceremonisë në Kalanë e Prezës


Jepen 4 milionë euro për xhamitë më të rëndësishme të periudhës otomane


Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nënshkroi sot një marrëveshje me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për financimin e restaurimit të pesë xhamive që i përkasin periudhës së sundimit Osman dhe që janë edhe objektet më të rëndësishme të kësaj periudhe historike. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Kulturës.


“Xhamitë e para të përzgjedhura për t’iu nënshtruar restaurimit janë: xhamia në Kalanë e Prezës, xhamia në Pazarin e Krujës, xhamia e Nazireshesë në Elbasan, xhamia e Plumbit në Berat dhe xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë. Kosto totale e realizimit të 5 projekteve është rreth 4 milion euro”, njofton Ministria.


Ceremonia e fillimit të punimeve u krye në Kalanë e Prezës me praninë edhe të ministrit të TKRS-së Aldo Bumçi, koordinatorit të TIKA-s Jahja Gylseven, këshilltarit të Kryeministrit për trashëgiminë Neritan Ceka.


Ministri Bumçi gjatë fjalës së rastit u shpreh se restaurimi i 5 xhamive është vetëm faza e parë e projektit pasi në bashkëpunim më TIKA-n është rënë dakord edhe për një fazë të dytë e cila do të përfshijë monumente të tjera kulturore.


TIKA ka financuar restaurimin e objekteve që i përkasin periudhës otomane në shumë vende të Ballkanit gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të mbrojtur identitetin arkitekturor të këtyre objekteve, të cilat shumë shpesh janë rrezikuar nga restaurimet e pakujdesshme për nevojat e ditës.


Aktivitetet e TIKA-s në Ballkan lidhen ngushtë edhe me politikën e re të jashtme të Turqisë që gjatë viteve të fundit udhëhiqet nga doktrinat e krijuara nga ministri aktual i Punëve të Jashtme Ahmet Davutoglu. Turqia deklaron se dëshiron zero probleme me fqinjët e vet dhe gjatë viteve të fundit ka kryer disa ndërmjetësime të rëndësishme politike mes shteteve të ndryshime të Ballkanit duke shkaktuar njëkohësisht simpati dhe antipati.


Deklaratat e Davutoglu, të cilat theksojnë bashkëjetesën e ballkanasve me turqit në kohën e periudhës Otomane, një histori e ndryshme kjo nga ajo që të rinjtë në Ballkan mësojnë nëpër shkolla mbi luftërat për çlirim dhe barbarizmat e luftërave mesjetare, në të cilat Otomanët qenë shpesh dhunues. 28 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)


Lexo më shumë: Si perceptohet politika e jashte turke në Ballkan?