Kostot
- Tarifa shkollore vjetore – 16 mijë lekë
- Librat për çdo vit kemi minimumi 8 lëndë – Mesatarisht 1 libër kushton 1500 lekë. Në një vit librat kushtojnë rreth 120 mijë lekë
- Konvikti – 40 mijë lekë për t’u strehuar në një vit
- Part time – Çmimet nisin nga 40 mijë-80 mijë lekë tarifë shkollore në një vit
- Në distancë – Shkollimi në distancë kushton nga 70 mijë lekë në 180 mijë lekë
- Privati – Një vit shkollor në universitetet private nis nga 1 mijë euro deri në 4 mijë euro
- Pasuniversitarët – Kushtojnë nga 80 mijë në mbi 100 mijë lekë në vit. Ende nuk janë miratuar tarifat përfundimtare
- Shpenzimi – Në kostot që paguan studenti përfshihen tarifa shkollore, librat, konvikti dhe shpenzimet minimale ditore, mujore, vjetore, transporti
- Transporti – Të ardhurit duhet të parashikojnë edhe transportin kur do të lëvizin për në vendin e lindjes në raste festash e pushimesh
Fakultetet propozuan rritje tarifash, por ato do të rriten aq sa është inflacioni
Lorina Mixha
Pas sezonit të provimeve maturantët do t’u nënshtrohen sfidave të reja derisa të ulen përfundimisht në auditorët universitarë.
Përveç “çunave të mamit” dhe “gocave të babit” që nuk e kanë problem koston e studimeve universitare, pasi familjarët mund t’i përballojnë të gjitha shpenzimet e tyre, një pjesë e maturantëve me të ardhura mesatare apo minimale jetese duhet të bëjnë llogaritë mirë para se të çelin studimet universitare.
Si fillim, si të rritur dhe në moshë madhore duhet të bëjnë bilancet e kostove, për studime, tarifat shkollore, librat e gjithçka tjetër që nevojitet si lëndë e parë për të studiuar.
Më shumë halle kanë ata të cilët do të duhet të ndryshojnë edhe vendbanim, nga qytetet e lindjes u duhet të vijnë në Tiranë, të paguajnë strehimin, ushqimin, transportin e shpenzimet ditore.
Për këtë vit tarifa shkollore do të jetë e pandryshueshme, do të vijojë të jetë 16 mijë lekë. Universitetet propozuan rritje të tyre, por vendimi nuk u mor parasysh nga Këshilli i Ministrave.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, në një nga mbledhjet e fundit deklaroi se rritja do të jetë aq sa është edhe inflacioni.
Pas tarifës shkollore studentëve u duhet të heqin veç paratë e librave. Janë minimumi tetë lëndë brenda një viti, të cilat kanë të paktën një libër. Çmimi mesatar i një libri shkollor është 1500 lekë të reja.
Tarifat shkollore për ata që do të studiojnë part time, me korrespondencë do të jenë nga 40 mijë në 80 mijë lekë.
Tarifat më të larta i kanë studimet në distancë, për të cilat kostoja vjetore arrin shifrën tavan deri në 180 mijë lekë të reja.
Këto tarifa janë vendosur për studentët që ndjekin formimin akademik në një nga fakultetet e universiteteve publike.
Kostot ndryshojnë për studentët që do të regjistrohen në universitete private. Çmimi dysheme për të studiuar në një universitet privat me kohë të plotë nis nga 1 mijë euro.
Ndërkohë që çmimi më i lartë për një vit studimi shkon në 4 mijë euro. Të gjitha këto tarifa janë vjetore, dhe duhen trefishuar, pasi një cikël universitar është tre vjet.
Për pasuniversitarët, tarifat shkollore ende nuk janë miratuar, por vitet e kaluara ato kanë nisur nga 80 mijë lekë të reja në mbi 100 mijë lekë të reja për çdo vit.
Një studenti konviktor në shtet apo në privat, kostot e përballimit të jetesës dhe studimit janë edhe më të mëdha.
Konvikti shtetëror kushton 40 mijë lekë në vit, në shtet, ndërkohë që konviktet private kushtojnë dyfish më shumë.
Kostot e një shtëpie me qira janë po ashtu shumë të larta. Edhe nëse ndan qiranë me shokët të duhet të shtosh në faturë, konsumin e ujit, energjisë elektrike apo telefonit fiks në rast se e përdor.
Transporti ka kosto të përditshme dhe përmuajshme. Për të marrë një abone studenti për transportin publik duhet të paguash 1 mijë lekë të reja tarifë mujore. Po ashtu, transporti interubran për të shkuar në qytetin e lindjes, pranë familjes në raste festash apo pushimesh janë kosto për llogaritë e xhepit të studentit.